Drejtori i Hidrokarbureve, Klodian Gradeci, i shpallur në kërkim për abuzimin 1.4 mln dollarë, është ndaluar nga Policia e Tiranës.

“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza”, i finalizuar më datë 06.10.2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. G., 45 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pak ditë më parë në media u trumbetua një aksion i ndërmarrë nga Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim madje dhe me FBI-në që çoi në pranga 5 zyrtarë të Agjencisë së Burimeve Natyrore, por që me një hije të fortë dyshimi për dekonspirim.

Kjo për faktin se personi më i kërkuar, pikërisht Gradeci, i akuzuari për abuzimin me 1.4 milionë dollarë, arriti të arratisej nga Shqipëria vetëm pak orë para nxjerrjes së fletë-arresteve.

Sipas të dhënave në sistemin TIMS, Gradeci ishte larguar në drejtim të Turqisë, vetëm një ditë para se prokurori Julian Xhengo të firmoste fletëarrestet për 7 zyrtarë të AKBN-së, si dhe dy biznesmenë.

Dëmi që ka pësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë AKBN nga veprimet e kundraligjshme të punonjësve të saj, me në krye titullarin Klodian Gradeci, është 1.472.766 USD, të cilat më pas sollën dhe një ndjekje të çëshjet dhe nga hetues amerikanë.