Policia e Durrësit në një informacion paraprak njoftoi se tre persona të maskuar kanë grabitur mbrëmjen e të shtunës banesën e një biznesmeni.

Nën kërcënimin e armës, autorët kanë marrë 10 800 €, në banesën e shtetasit E.K., biznesmen transporti  rrugor kombëtar dhe ndërkombëtar mallrash.

Grabitësit, mësohet se kanë lidhur personat e pranishëm në banesë dhe kanë marrë paratë. Para se të largoheshin, grabitësit kanë marrë edhe djalin e familjes, por e lanë të lirë disa kilometra më tutje. Biznesmeni ka bërë kallëzim duke vënë në lëvizje policinë, që ka nisur kërkimet për gjurmët e keqbërësve.

NJOFTIMI I POLICISË
 
Më datë 12.01.2019, në lagjen Nr.14  Shkozet, Durrës 3 persona të maskuar dhe  nën kërcënimin e armës  kanë hyrë dhe kanë vjedhur banesën e shtetasit E.K. ku kanë marrë 10 800 €.
 
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.