Dita e djeshme ka qenë shumë e ngarkuar me ngjarje të rënda kriminale, nga të cilat kemi dy viktima dhe dy të plagosur.

Gjithçka nisi në orët e para të mëngjesit ku në Rrogozhinë u gjend i pajetë në makinë një 33-vjeçar, i identifikuar si Klevis Kapllani.

Informacionet e para flasin për një vrasje me silenciator, ndërsa sipas asaj që raporton gazetari i RTV Ora Besar Bajraktari, hetuesit e çështjes kanë identifikuar dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes.

Identiteti i tyre dihet nga organet ligjzbatuese, por për shkak të hetimit intensiv e në vazhdim, nuk bëhen të ditura për mediat.

Ndërkohë, policia ka sekuestruar në vendngjarje edhe një armë tip pistoletë, e cila dyshohet t’iu ketë rënë autorëve në largim e sipër. Arma është dërguar pranë Policisë Shkencore ku po bëhen edhe verifikimet e duhura.

Dyshimet e para të grupit hetimor flasin për një vrasje për shkak të prishjeve të pazareve të drogës pasi viktima ka qenë i dënuar në Itali për “trafik të lëndëve narkotike” ndaj dhe ka dyshime që edhe pas kthimit nga Italia, dy vite më parë, ai të ketë vijuar aktivitetin kriminal edhe në shtete të tjera të Europës.

Kapllani, babai i një fëmije, ishte larguar nga shtëpia mbrëmjen e së hënës, por nuk ishte kthyer më në banesë, ndaj dhe dyshohet se ai mund të jetë vrarë gjatë natës.