11 maj 2015

4 inagurime në 5 ditë

Në kuadrin e fushatës elektorale, Durrësi po përjeton një breshëri investimesh si në infranstrukturë edhe në kulturë. Në 5 ditët e fundit kryebashkiaku Dako ka inauguruar rikonstruksionin me themel të dy rrugëve (në zonat periferike të Durrësit), dy statujave të idol-eve të muzikës perëndimore dhe sot u inagurua rivitalizimi i fasadave të ndërtesave të Bulevardit Dyrrah. Janë suvatuar, lyer e pajisur me ullukë ndërtesat në të dy krahët e bulevardit nga zona e Valutës deri në sheshin 'Liria' para ndërtesës së bashkisë.

Dako theksoi se pa favorizimin dashamirës të Kryeministrit Rama nuk do të ishin bërë të mundur të tëra këto investime në Durrës. Ai nënvizoi se gjatë vitit 2014 janë investuar në Durrës 14 milionë dollarë nga buxheti i qeverisë Rama, ndërsa për vitin 2015 është në proces e sipër investimi i 8 milionë dollarëve për infrastrukturën e Durrësit. Mesazhi ishte i qartë: Nëse durrsakët nuk votojnë për Dakon, t’i harrojnë milionat e dollarëve investime nga buxheti i qeverisë Rama për qytetin e Durrësit.

Projekte të reja

Dako u deklaroi banorëve dhe gazetarëve se projekte të reje dhe miliona dollarë të tjerë po investohen apo do të fillojnë të investohen në muajt në vazhdim të viti 2014. Ai i “bombardoi” të pranishmit me një breshëri shifrash miliona dollarëshe.

-Për pishinën “Taq Dafa” do investohen 1,2 milionë dollarë për rehabilitimin dhe modernizimin e saj.

-Shkolla “Isuf Puka” do rehabilitohet, modernizohet dhe zgjerohet me një investim prej 1,5 milionë dollarësh.

-Në bulevardet e qytetit do vendoset një system kamerash sigurie në kuadrin e iniciativës antikrim të bashkisë, nëpërmjet një investimi prej 750 000 dollarësh.

-3,5 milionë dollarë do të “hidhen” në rrugën e plazhit për ta shndërruar atë nga një superstradë në një shëtitore dhe çdo dalje në det e kësaj rruge do rikualifikohet e do zbukurohet.

-Mbyllja e kanalit, që deri tani ka qelbur tërë zonën e plazhit do të realizohet me anë të një investimi prej 1 milion dollarësh.

Do të rikonstruktohet sheshi para hyrjes Nr. 1 të Portit të Durrësit, si edhe mini sheshi para Mauzoleumit të Dëshmorëve. Ky projekt do të jetë krahas projektit të titulluar “I Love Durrës” d.m.th. amfiteatrit të ri buzë detit, Sfinksi i qytetit, që është në ndërtim e sipër në zonën e Bërrylit.

Dako theksoi që përveç këtyre investimeve madhore, do të ketë një dyzinë me investime të vogla të rendit nën 10 milionë lekë të reja, që do prekin çdo rrugë e rrugicë, çdo mikrolulishte të Durrësit.

Mbetet për t'u parë, nësë “thesi” me miliona dollarë investime i kandidatit Dako, a do jetë i mjaftueshëm për t’i bindur durrsakët të votojnë për herë të tretë kandidaturën Dako.

/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/