Kryebashkiaku Vangjush Dako është takuar me basketbollistët e Teutës, djemtë e rinj të cilët sollën në Durrës trofeun e Superkupës së Shqipërisë.

“I falenderoj djemtë dhe drejtuesit për suksesin e arritur, që është dhe një mënyrë shumë e mirë për të promovuar qytetin e Durrësit”, tha Dako gjatë takimit duke vlerësuar maksimalisht kontributin e secilit lojtar dhe pjesëtar të stafit të ekipit në fitoren e rëndësishme.

Më tej, kryebashkiaku Dako u angazhua për të plotësuar në të ardhmen të gjitha nevojat e ekipit dhe për të shtuar buxhetin në dispozicion të skuadrës së basketbollit Teuta.

“Bashkia do të marrë ne konsideratë çdo nevojë që ekipi ka dhe do të ketë përmirësim edhe në buxhetin që do t’i akordohet klubit”, premtoi Dako.

Teuta arriti në fitore mjaft të rëndësishme përballë Tiranës, në finalen e Superkupës në basketboll për meshkuj, suksesi ky i parë i ekipit durrsak në këtë event.