Shoqëria civile protestoi dje gjatë gjithë ditës para parlamentit kundër miratimit të ligjit për importin e mbetjeve nga jashtë. Protestuesit i shoqëruan deputetët në përfundim të seancës, ku u miratua ligji, me fjalët: “Turp, turp”; “Plehra”.

Deputeti Blushi ndaloi dhe i informoi se ligji ishte miratuar formalisht, por moralisht kishte rënë. Blushi u tha protestuesve se duhet të bëhen më shumë dhe të kërkojnë referendum për këtë çështje. Më herët, protestuesit janë përplasur për disa minuta me policinë në hyrje të Kuvendit, pasi tentuan që të bllokojnë rrugën duke vendosur një kazan plehrash. Forcat e policisë ndërhynë duke mos lejuar bllokimin e rrugës dhe larguan protestuesit. Në fjalimet me megafon, protestuesit u kanë kërkuar deputetëve që të mos e votojnë ligjin, sepse do të ndotë akoma më shumë vendin, pasi nuk po trajtohen mbetjet brenda vendit dhe me importin e atyre nga jashtë situata do të rëndohet akoma më shumë.

Protestuesit janë shprehur se ligji nuk jep garanci për ndalimin e plehrave të rrezikshme në dogana. Në koshat që ndodhen pranë parlamentit protestuesit kanë shkruar emrat e kryeministrit Rama dhe të kryetarit të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Eduard Shalsi, në shenjë proteste kundër importit të mbetjeve.

Sipas protestuesve, në orët e mbrëmjes, protestës së qytetarëve iu bashkua për pak momente edhe kryetari i Bashkisë së Parmës, Federico Pizzaroti. Ai është shprehur se e mbështet këtë protestë dhe është gjë e mirë që ka një lëvizje qytetare që mbron interesat e publikut. “Ju mbështes për protestën! Në Parma ka një vëmendje për të edukuar publikun për diferencimin e mbetjeve. Në Parma nuk lejohet impiant djegiesh, të cilat sjellin ndotje të ambientit. Në Parma janë rritur impiantet ricikluese deri në 70% e mbetjeve. Më vjen mirë që ka një lëvizje qytetare në mbrojtje të interesit publik”, – tha kryebashkiaku i Parmës, Federico Pizzaroti. / BalkanWeb/