Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë znj. Jiang Yu e cila në krye të një delegacioni me zyrtarë të tjerë të ambasadës kineze kanë vizituar muzeun arkeologjik të Durrësit në ditët e para të vitit të ri.

Gjatë vizitës në muze kryebashkiaku Dako dhe ambasadorja kineze Jiang Yu kanë bashkëbiseduar në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij si dhe me resurset e shumta turistike që ofron Durrësi ku një pjesë e rëndësishme është edhe turizmi arkeologjik. Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja. Po kështu temë tjetër e bisedës ka qenë edhe bashkëpunimi midis Durrësit dhe dy qyteteve të Kinës me të cilët janë nënshkruar edhe memorandume bashkëpunimi.

Ambasadorja kineze nga ana e saj i ka përcjellë kryebashkiakut Dako edhe ftesën zyrtare të kryetarit të Bashkisë të qytetit Shantou në Kinë i cili ka ftuar kryebashkiakun Dako për të vizituar këtë qytet kinez me të cilin bashkia e Durrësit ka memorandum bashkëpunimi. Kryebashkiaku Dako e ka pranuar me kënaqësi ftesën për të vizituar qytetin kinez Shantou. Sipas kryebashkiakut Dako ky forcim i bashkëpunimit të qytetit të Durrësit me disa qytete të rëndësishme kineze krijon hapësira zhvillimi në fusha të ndryshme për qytetin e Durrësit.