Shumë i lumtur Paolo Maldini për arritjen e kuqezinjve në Londër. Një barazim me shumë vlera që e fut Milanin mes tetë më të mirave në Europë. Drejtori teknik ka komentuar bëmën e djemve të Piolit në një intervistë ekskluzive për rrjetin “DAZN”.

Si ndiheni?

Pas 7 vitesh pa marrë pjesë fare në Champions dhe kam shumë respekt për këtë rrugë, më në fund një rezultat i madh. Kjo arritje na fut në tetë më të mirët dhe përbën histori. Është një arritje titanike të fiksohemi në tetëshen e parë, por këto janë objektiva që i kemi vendosur që në fillim.

Pasi patë një stadium të tillë a nuk mendoni se i duhet një edhe Milanit?

Kemi parë bukurinë e një stadiumi modern… dhe këto janë gjërat që i pranojmë edhe ne që kemi luajtur në “San Siro”. Është e qartë se pa një stadium modern do të jetë e vështirë të jemi sërish konkurrues.

A ndieni tension në ndeshje të tilla si në kohët kur luanit vetë?

Përgatitem sikur do të luaja, pastaj kur zgjohem nga gjumi i pasdites them: Nuk do të luaj unë. Tensioni mbetet nga minuta e parë deri në minutën e fundit. Është një pjesë e jetës sime që më pëlqen, është diçka ndryshe por gjithmonë e bukur.

Si ndryshon emocioni mes ndeshjeve si drejtues dhe atyre si futbollist?

Besoj se në epokën moderne, nëse nuk ke një bilanc prej klubi të madh, vështirë se je në top katërshen në Itali dhe tetë më të mirët në Europë. I shikoj pasqyrat financiare sepse është pjesë e punës sime, por po flas për ambicie sportive. Nuk jam këtu vetëm për të pasur të ardhura më të larta, por edhe për të pasur rezultate sportive të përshtatshme për llojin e klubit. Duhet të jemi ambiciozë nga pikëpamja sportive.