Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas protestave masive si dhe shfaqjes së djeshme në Bulevard, ku prania e qytetarëve dje ishte më e madhe se kurrë më parë, ndërsa ka zgjedhur ironinë për t’iu përgjigjur pjesëmarrësve që kundërshtojnë projektin në zonën e Zvërnecit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama u është drejtuar protestuesve me një “lutje të përulur”, duke i ftuar që herën tjetër, kur të shkojnë për të mbrojtur flamingot, të mos hyjnë me automjete në zonën bregdetare.

Rama shton se flamingot ishin larguar nga zona përpara vendosjes së moratoriumit 10-vjeçar të gjuetisë dhe ironizon më tej protestuesit, duke i ftuar të lënë automjetet pranë rrugës dhe të ecin deri në breg të detit. Ai nuk la pa përmendur as mbeturinat e lëna pas, duke pretenduar se në zonën ku u zhvillua protesta ishin braktisur kanoçe birre.

Postimi i kryemninistrit Edi Rama

MIRËMËNGJES

dhe me një lutje të përulur revolucionarëve, që kur të shkojnë herë tjetër në atë breg për t’u qarë hallin flamingove, të mos i bëjnë për të qarë duke ua zhvirgjëruar plazhin me makinat e tyre – se do kujtojnë të shkretët zogj se filloi ndërtimi i parkimit aty, e do marrin arratinë siç e kishin marrë përpara moratoriumit 10 vjeçar të gjuetisë – po t’i lënë rrotat tek rruga automobilistike e të ecin si flamingo deri tek buza e detit pa u trembur nga papastërtitë, por mundësisht pa i shtuar ato si dje që i kishin lënë mbrapa kanoçet e birrës, ju uroj të gjithëve një të diel të qetë