31 korrik 2015 – Ndeshja mes Kukësit dhe Legias së Varshavës, e vlefshme për raundin e tretë kualifikues të Europa League, u ndërpre përfundimisht në minutën e 7-tw të pjesës së dytë, në kohën kur rezultati i takimit ishte 1-2 për polakët, për shkak se një lojtar i ekipit kundërshtar është goditur me mjete të forta nga tifozët e pranishëm në tribuna.

Ngjarja në këtë ndeshje është pasqyruar menjëherë në mediat polake, të cilat e kanë cilësuar si skandaloze atë që ndodhi në “Qemal Stafa”.

“Skandal në Tiranë! Ndeshja ndërpritet pas sulmit me gurë ndaj Duda-s”, ky është titulli i portalit polak “Sportowefakty.pl”. Ndërsa brenda në shkrim thuhet se Duda u godit me gurë nga tifozët e Kukësit dhe më pas ka dalë nga fusha e lojës me barelë për shkak të goditjes së marrë. 

Edhe nga mediat ndërkombëtare sportive, si “ESPN” thuhet se lojtari polak është goditur nga tifozët e Kukësit me gurë.

Ndërprerja e ndeshjes në “Qemal Stafa” është pasqyruar edhe nga “The Guardian”, por në ndryshim nga mediat polake, gazeta britanike nuk e cilëson se nga cilët tifozë ishte goditur. Ndërsa më tej shkruan se lojtari polak, Duda, është fashuar dhe ka qenë i gatshëm për t’u futur sërish në fushën e lojës.

“The Guardian” përmend në shkrim edhe precedentë të mëparshëm të tifozëve të Legias, ku thotë se edhe në sezonin e kaluar të Champions League, ka pasur tensione në ndeshjen që polakët zhvilluan ndaj Celtic. Për këtë ngjarje kanë shkruar edhe media të tjera britanike, italiane apo gjermane, pa harruar edhe ato serbe.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/