Këngëtarja e njohur Albërie Hadërgjonaj i la të gjithë pa fjalë, ndërsa u ngjit në skenën e Festivalit të 58-të të Këngës në RTSH, ku shkëlqeu jo vetëm me look-n e saj të kuruar në çdo detaj, por kryesorja me performancën e një kënge të ndjerë, me tekst të Timo Fllokos dhe muzikë të Adrian Hilës, me titull ‘Ku ta gjej dikë ta dua”.

“M’u duk vetja si e ftuar dhe jo si konkurrente, pasi u kënaqa shumë, e shijova shumë ngjitjen time në skenën e Festivalit të RTSHsë, për të vetmen arsye se kam autorët më të mirë në industrinë e muzikës dhe artit dhe kjo e bën më të vlefshme pjesëmarrjen time”, u shpreh Albërie për “Panorama Plus”.

Performanca e Hadërgjonajt la mbresa, shkëlqeu, duke u komentuar direkt në mediat online si më e mira e më e ndjera. Këngët e saj ndër vite u kënduan nga artistët dhe të gjithë të pranishmit në sallë kënduan “Jeta s’është lodër”, një ndër hit-et e saj të karrierës.

Sipas mediave online, Albërie Hadërgjonaj merr pjesë këtë vit në “Festivalin e Këngës”, me një këngë vërtet pretendente për të fituar, pasi është e mirëmenduar në çdo detaj. Ajo shtangu publikun mbrëmjen e së enjtes me performancën e saj, ndërkohë që në prapaskenë e shoqëronin disa persona shumë të dashur për të.

Bëhet fjalë për vajzën e saj, Anxhelinën, Beatrixin dhe Alban Ramosajn, të cilët kanë qenë mbështetja më e madhe për Albërien, së bashku me disa miq të afërt të këngëtares. Ndërkohë, një shkrirje e bukur e muzikës së Adrian Hilës me vargjet e ndjera të Timos Fllokos bëri që kënga e Albërie Hadërgjonajt të prekte zemrat e të gjithëve me këngën “Ku ta gjej dikë ta dua”.

Në vargjet e Timos Fllokos ngrihet shqetësimi i çdo njeriu të kohës ku ka shumë konsum dhe pak ndjenjë.