Binomi art – çmenduri në poezinë e Alda Merinit

23/09/2020 - 11:40

Nga Gladiola Jorbus

Alda Merini: ‘Ato si unë, janë ato për të cilat do të pendohesh në vjeshtën e jetës sate për gjithçka që do të të jepnin, por që ti nuk e deshe’.

 Alda Merini është poetja e mirënjohur italiane që me stilin e veçantë, të kristaltë e gërvishtës njëherazi, reflekton botën e brendshme shpirtërore të përvojave të dhimbshme të jetës së saj, mbylljet në klinika psikiatrike për shkak të shqetësimeve bipolare, depresionit post partum, rravgimet midis gjenialitetit dhe marrisë.

 Përmes alkimisë poetike, ajo i ka konvertuar dramat e jetës së saj në një energji të mrekullueshme kreative, duke na suprizuar me poezinë e saj sa spontane, aq dhe të kuptueshme e të dashur për të gjithë.

Alda Merini lindi në Milano më 21 mars 1931 dhe vdiq në të njëjtin qytet  më 1 nëntor 2009. Ndonëse me prejardhje nga një familje modeste, ajo shfaqi që në moshë të hershme ëndjen e dallueshme për poezinë dhe muzikën. Kur ishte 15 vjeç, bëri debutimin e parë si autore, e shtyrë nga Giacinto Spagnoletti, mentori i saj.

 Në vitin 1947, ajo u ndesh me "hijet e para të mendjes", dhe për një muaj qëndroi e mbyllur në Villa Turro. Për Alda Merinin, spitali psikiatrik do të jetë fatkeqësisht një sprovë e vazhdueshme, një lloj alternimi midis errësirës dhe dritës, fillimi i një udhëtimi rraskapitës drejt psikanalizës.

Vargjet që manifestojnë motot dhe aforizmat e shpirtit të saj të lënduar, brishtësinë e shndërruar në forcë fshehin notat erotike dhe mistike brenda vetes.

Poetja Merini nëpërmjet universit të vet poetik, tehut të vargut të saj, alter egos së unit krijues u jep zë të margjinalizuarve, të mposhturve,  fitimtarëve ; dritës dhe errësirës, jetës dhe  vdekjes.

 Alda ishte e aftë të shqyente velin që mbështillte thellësitë e ndërgjegjjes dhe nën efektin e rrugëtimit të saj jetësor, nën kryqin e çmendurisë karakterizuese, pulsonte talenti i vrullshëm dhe i pamposhtur, i cili jetonte në një dimension të ndryshueshëm e poliedrik.

Në poezitë e saj, ndërthurja art-çmenduri fluturon përtej logjikës, përtej censurës morale, përtej ndjesive të zemrës. Dualizmi i poezisë së Aldës është unikal, i mbingarkuar me sensualitet poetik, nën trysninë e një dehjeje delirante, në krahët e një fantazie delikate.

 Sipas Alda Merinit, e keqja fillimisht merr formën e një fustani inkandeshent, më pas bëhet poezi dhe zjarr dashurie për të tjerët. Poezia mbeti spiranca e saj e shpëtimit, melhemi i shpirtit, frymëmarrja e shpenguar, pasi pavarësisht disfatave trazuese dhe sfidave të jetës, Merini nuk e humbi dëshirën për ta shijuar atë. Shëndeti dhe sëmundja do të këmbeheshin njëri me tjetrën, në jetën e saj, idem si stinët e vitit.

Në vitin 1979, Alda Merini krijoi vargjet që do të përmblidhen në La Terra Santa (Toka e shenjtë - 1984), një lloj toke e premtuar, e hulumtuar, e kërkuar përmes poezisë dhe shkrimit.

‘Çmendina është një fjalë shumë më e madhe

 se humnerat e errëta të ëndrrave’, shkëputur nga Çmendina është fjala’, vepra ‘Toka e shenjtë’.

Stili i Alda Merinit është një lloj kompromisi midis meandreve onirike dhe poezisë, e cila nën përvojat traumatike të krijueses përqaset me të gjitha skajet e dhembjes njerëzore. Dashuria, zhgënjimi, vuajtjet janë tema të përsëritura në veprat poetike të Alda Merinit.

‘Kam nevojë për poezinë,

këtë magji që djeg peshën e fjalëve,

që zgjon emocionet dhe jep ngjyra të reja’.

Liria është një tjetër koncept themelor i poezisë së saj, ku poetja është epiqendra e jetës në të gjitha përvijimet dhe format e veta. Merini zhytej në humnerë, në thellësitë e dëshpërimit për t'u rishfaqur, për të nxjerrë perlat e çmueshme apo flakërimat e vogla ndriçuese në sipërfaqe, mburoja të një bote të panjohur për shumicën e njerëzve. Dimensioni i dhembjes dhe i vuajtjes janë për Aldën, 'një gjurmë e zezë në vetëdije, një grusht baltë', kufiri që materia ushtron mbi shpirtin.

 Alda Merini është drama e një trupi të lodhur e të sëmurë, i kontrastuar nga dëshira për t’u ndjerë i lehtë, i lirë, është një melankoli e '' kujtesës absurde të momenteve të tjera '' (nga Madhështore është nata).

Poetja Merini është fituese e çmimeve dhe e mirënjohjeve ndërkombëtare; gjithashtu ka kontribuar në botën e muzikës, duke bashkëpunuar me artistin Giovanni Nuti. Pothuajse njëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së saj, për shkak të një tumori kockash më 1 nëntor 2009 në moshën 78-vjeçare, Alda Merini, ende qëndron e pezullt me poezinë e saj eterike në apartamentin milanez të mbushur me letra, me makina shkrimi të braktisura, buzëkuqe, gjerdanë dhe shënime.

Poezia e saj ishte një himn kushtuar jetës, pasi kishte parë honet e errësirës; një rilindje emocionuese, pasi kishte duruar abstraksionet infernale. Merini shfaqet një grua dhe një penë krijuese ndryshe në sytë e shoqërisë, duke arritur të rrëmbente, përmes krijimeve të saj dinjitoze, lëvdatat e të mirënjohurve Eugenio Montale dhe Salvatore Quasimodo.

Sipas botuesit dhe kritikut të artit Vanni Scheiwiller, ajo ishte "vazhduesja e poetëve orfikë, nga Magna Graecia (emri që iu dha nga romakët Italisë Jugore në rajonet e sotme të Kampanjës, Pulias, Bazilikatës, Kalabrisë dhe Siçilisë).

Ja si shprehej Alda për ekzistencën e saj: "Unë e kam shijuar jetën, sepse më pëlqente edhe ferri i jetës, dhe shpesh jeta është një ferr. Për mua jeta ishte e bukur sepse e pagova shtrenjtë ”.

Midis poezisë dhe spitalit psikiatrik, dy konstanteve të jetës së saj, arriti të realizojë disa fraza të paharrueshme e frymëzuese për lexuesit e saj:

‘Hakmarrja më e mirë? Lumturia. Nuk ka asgjë që i çmend më shumë njerëzit sesa të të shohin të lumtur’.

‘Ligësia u përket budallenjve, atyre që ende nuk e kanë kuptuar se nuk do të jetojmë përgjithmonë’.

‘Është e domosdoshme që një grua të lërë një gjurmë të vetes, të shpirtit të saj tek një burrë, sepse të gjithë jemi të zonjat për të bërë dashuri’.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ka ndërruar jetë këtë mbrëmje një nga kompozitorët më të njohur shqiptarë të të gjitha kohërave.

“Dritë për nesër” quhet koncerti homazh i organizuar nga Bashkia Tiranë në sheshin përpara Universitetit të Arteve në nder të viktimave t

Dy instrumentistë shqiptarë mbrëmjen e kaluar ishin protagonistë të një koncerti të organizuar në Sanntiago de Compostela (Spanjë).

Si çdo vit do të zhvillohet Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar ku do të marrin pjesë këngëtarë të ndryshëm shqiptarë dhe f

Mjeshtri dhe bilbili i këngës durrsake, Qemal Kërtusha feston sot 89-vjetorin e lindjes së tij.

Presidenti Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne të zhvilluar në Universitetin e Arteve, kompozitorin dhe muzikantin e shqua

· Librat e saj, që janë botuar në Itali nga shtëpia prestigjioze “Bonfirraro Editore”, janë bërë pjesë e kurrikulës universitare ital

Çmimi "Ambasador i Gjuhës Italiane në Shqipëri" këtë vit i është akorduar artistit nga Durrësi Helidon Xhixha.

Filmi shqiptar rinis udhëtimin për t'u përhapur në ekranet e huaja edhe në kohë pandemie.

Grupi i valleve në Qendrën Kulturore Durrës ka triumfuar në Festivalin e 18-të Folklorik Ndërkombëtar të Kërcimit "Ylberi i Prishtinës".