Debati mes aktorëve dhe ministres Kumbaro: Unë jam artist ti merresh me halenë, e kupton ku je?

Postuar: 15/02/2018 - 11:03

Aktori Bujar Asqeriu ka debatuar me tone të larta me ministren e Kulturës Mirela Kumbaro dhe kolegë të tjerë, që morën pjesë në takimin e zhvilluar dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës.

Asqeriu ngriti problemin e kushteve skandaloze, në të cilat punojnë aktorët, duke shprehur edhe shqetësimin për “vdekjen” e teatrit nëpër rrethe. 

Më poshtë, debati mes Asqeriut dhe ministres Kumbaro.

Bujar Asqeriu: Ne nuk jemi tregtarë specash dhe domatesh, ne jemi artistë. Ne reflektojmë energji të mendjes dhe të shpirtit. Këtu është thelbi im. znj. ministre, me respektin më të madh, sepse vëllain tënd, Arben Kumbaro, e dua shumë për talentin e tij, për ekzigjencën e tij, do t’ju bëj një pyetje shumë të thjeshtë: sa studentë për aktrim, mbarojnë në Akademinë e Arteve dhe a keni informacion, në këta 10 studentë, kush është më i talentuari? Përse asnjë prej tyre nuk shkon në rrethe? Znj. ministre, teatrot në provincë kanë vdekur. Znj. ministre, tunduni, teatrot në bashki ka vdekur. Ka qenë Spiro Duni, kam qenë unë, kemi qenë të gjithë… në teatrin e Fierit, të Shkodrës, të Sarandës, gjithandej… në teatrin e Fierit merrej uji me llastik nga një lokal për të larë fytyrën aktorët. Këto janë gjëma, që s’mund t’i duroni as ju, as unë. Zonja ministre, kam larë fytyrën me llastikun që vinte nga lokali e futej në hale. Ky është realiteti!

Mirela Kumbaro: Ju lutem, a mund të qetësoheni? Të mos bërtasim…

B.A: Jam shumë i qetë unë, e lëviz shumë mirë amplitudën, unë, jam aktor.

M.K: Po, patjetër, ju njoh.

B.A: Dhe jo të interpretoj, por të them realitetin. Jam aktor prej 40 vjetësh. Jam aktor me 120 role.

M.K: E di, ju kam ndjekur në çdo rol.

B.A: Jam pedagog në Shqipëri e Maqedoni. Më njeh Maqedonia mua. Nuk hynte këmbë shqiptari atje, kur Policia maqedonase nuk lejonte të flitej shqip dhe unë futesha dhe jepja mësim. Zonja ministre, unë flas se e dua Shqipërinë, e dua teatrin, e kam lidhur jetën me teatrin. Nëse dikush është kalimtar dhe ka ardhur të fitojë lekë, le të fitojë lekë, unë nuk dua të fitoj lekë. Unë dua të më respektosh si artist. Ky është qëllimi i jetës sime. Se asnjëherë nuk i kam thënë Spiro Dunit: Pse më jep kaq pak lekë. Ky është miku im, një nga regjisorët më të mirë që kemi ne. Por ju zonja ministre, duhet të kuptoni se kush është artisti. Ti duhet ta kuptosh më mirë vëllanë tënd. Arben Kumbaro është një artist i vërtetë.

M.K: Le ta lëmë këtë, se nuk jam këtu si motra e Arben Kumbaros. B.A: Jo, jo nuk jam këtu për servilizma unë. Unë nuk i servilosem askujt. Unë jam i vërtetë, jam origjinal, le të thonë çfarë të duan për mua, unë e kam ndërtuar jetën time që 14 vjeç jetim, pa nënë e pa baba dhe nuk pyes për askënd. Vetëm Zotin kam unë, asnjë tjetër. E kam ndërtuar me gjak dhe me djersë jetën time, prandaj zonja ministre respektojini dhe vlerë- sojini artistët. Jo të vijë tubi i ujit nga lokali që të lajë fytyrën artisti. Ju ishit atë natë në premierë “Vdiq Mbreti, Rroftë Mbreti!” dhe ju falënderoj. Ne laheshim me ujë të ftohtë në lavaman.

M.K: Prandaj dhe ne duam t’i japim fund kësaj situate…

B.A: Dhe unë i them drejtorit, sepse është detyra e tij dhe jo e imja. Përse aktori nuk ka ngrohje, përse aktori nuk ka ujë të ngrohtë?

M.K: Ju po konfirmoni që kushtet në teatër janë të papërshtatshme? Biem dakord për këtë?

B.A: Po pse, kush të pengoi ty të më krijosh kushte mua? Ku i çoni fondet? Për çfarë?

Artan Imami: O Bujar, përse bërtet? Po për këtë po flasim, që për ata dy lavamanë duhet të bëjë prokurim publik… u dogj kondicioneri…

B.A: Po lëri këto prokurime ti…

Artan Imami: Ore, edhe për gjera të vogla…

B.A: O zotëri, ne të dy kemi luajtur bashkë dhe ti dhe unë dridheshim në skenë. Unë dua të them të vërtetën, ti mbase s’do ta thuash. Le të më shajë ministrja…

Armando Bora: Këto janë të vërteta, që ne të gjithë i dimë..

B.A: Po përse të mos i themi?

M.K: Edhe unë i di.

Armando Bora: Se i përsërisim, mirë bëjmë, por këtu jemi për tjetër gjë. Këtë tryezë ta shfrytëzojmë…

B.A: Ta shfrytëzojmë për çfarë? T’i bëjmë qefin njëri-tjetrit?

Armando Bora: Ka një rregullator në ligj që mund të na ndihmojë për të zgjidhur këto probleme, midis të tjerash. Dhe këto nuk rregullohen as me frymë dhe as me dëshirë, por përmes një rregullatori…

B.A: Ta bëjnë ligjin, ne jemi këtu për të shprehur shqetësimet tona. Ti që je burokrat, bëje ligjin…

Armando Bora: Unë nuk jam burokrat, jam si ti…

B.A: Unë do them shqetësimet e mia. A, s’më le ti mua të them shqetësimet e mia, fol ti, pastaj…

Armando Bora: Unë Nuk kam ardhur i ftuar këtu, por kam ardhur të them mendimet e mia. Më dëgjo dhe më kundërshto, nëse do. Kjo është shumë e rëndësishme për mua dhe falënderoj ministren për mundësinë, që e nis procesin e një ligji me konsultime dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne, Bujar. Sepse nuk mjafton që vetëm t’i identifikojmë problemet e t’i themi, por të bëhemi partner në zgjidhjen e tyre. Dhe them që ky ligj ka shumë probleme, si ai i 2010-ës, por do përqendrohemi në dy…

B.A: Ore, të më thotë zonja ministre, pse një student që vjen nga Shkodra, nga Laçi, nuk kthehet në bazën e nisjes? Andej nga kanë ardhur? Asnjë…

Armando Bora: Rregullohen të gjitha…

B.A: Kjo do të thotë që teatri ka vdekur dhe duan ta vdesin edhe në qendër. Dëgjomë mua. Nuk duan teatër.

Armando Bora: Duhet të jemi konstruktiv…

B.A: E mirë, t’i bëjmë qejfin njëri-tjetrit..

Artan Imami: S’mund të vazhdojmë me këtë dialog.

Armando Bora: Po bëjmë debat për një ligj, ku mund ta përmirësojmë…

Artan Imami: Ke parasysh ato banjat që ishin bllokuar dhe s’hyje dot? Kisha shfaqje unë në atë kohë. Nuk merrje dot një hidraulik ta zhbllokonte. Do ta zhbllokonim unë, apo ti?

B.A: Po kush e ka fajin për këtë?

Artan Imami: E kishte ligji për prokurimet. Këtë gjë e kanë rregulluar. Ke gjë me këtë punë, o miku im?

B.A: Ti je artist more, merresh me halenë. E kupton ti ku je, apo jo?

Artan Imami: Po për çfarë po flasim?

B.A: Ti duhet të flasësh për spektakël, ore hejj… E kupton ku je? Më flet për banjat…

M.K: Miqtë e mi, a mundet të dëgjojmë njëri-tjetrin?

B.A: Më fal për tonin, se unë nuk kam asgjë. Unë për 3-4 vjet dal në pension. U them: na, merreni fanellën time dhe vareni në gozhdë. Por jo, jo zonja ministre, teatri është shpirti i këtij vendi. Mbrojeni teatrin zonja ministre, duajeni, investoni, nuk bëhet teatri me pordhë, por me lekë. Hidhni lekë. Kaq them unë. Ky është Bujar Asqeriu, në daç më prano, në daç mos më prano…

M.K: Ju falënderoj shumë…

B.A: Kam pengjet e artistëve unë që kanë ikur 60 vjeç nga kjo jetë. Kam pengjet e artistëve të mëdhenj shqiptarë. Ju nuk e dini, por unë i di. Fatos Sela tha: Mos më çoni në publik, më çoni në varr. Pse e tha këtë Fatos Sela, aktori i madh. Ja, këto janë… Dhe ju shqetësoheni se shqetësohemi ne. Unë shqetësohem për Fatos Selën, Bujar Lakon, Roland Trebickën. Këta, që nuk i keni vlerësuar ju. Për Skënder Selimin… Sepse ishin kolosë të skenës.

M.K: Zoti Bujar, ju falënderoj dhe ju mirëkuptojmë…

B.A: Të më falni për tonet, por unë ju dua si motrën e Benit, por edhe për pozicionin që mbani, por ju duhet të merrni iniciativa më të guximshme.

M.K: Jemi këtu për të marrë këto iniciativa. Më ke me vete.

B.A: Ta mbrosh kulturën, ta mbrosh artin, se janë asi i kombit. Kush e mban mend Kryeministrin e Brazilit, por Pelen e mban mend gjithë bota. Arti është simbol, të marrsha të keqen, është simbol, t’u bëfsha unë.

M.K: Ju falënderoj, por do të doja të dëgjoja pak Armandin.

Armando Bora: Nuk dua të distancohem nga shqetësimet e Bujarit…

B.A: Jemi pak emocionalë, se na ka bërë profesioni. /Marrë nga Panorama

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli ka sqaruar reagimin e tij ndaj artistit të njohur Mirush Kabashi, pas qëndrimit që ky i fundit sh

   Në qytetin e Durrësit është organizuar festivali “Pranvera poetike durrsake”.

Të bashkuar për një qëllim të vetëm, për t’iu ardhur në ndihmë sa më shumë fëmijëve në nevojë.

Aktori i njohur Laert Vasili në takimin me artistët teksa diskutohej fati i Teatrit Kombëtar zgjodhi të flasë me ironi dhe fjalë therëse.

Në sallën e Teatrit të Qendrës Kulturore të Fëmijeve në Durrës, është zhvilluar konkursi i zërave të rinj i titulluar "Unë Këndoj".

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, dhuroi mbrëmjen e kaluar emocione të paharrueshme për mijëra shqiptarë, të cilët ki

Sikurse pritet prej kaq kohësh, Ermal Meta do të mbajë sot një koncert në sheshin “Skënderbej” në Tiranë të organizuar nga Bashkia e Tira

   Një prej projektvendimeve që miratoi Këshilli Bashkiak i Durrësit ishte nderimi me titullin “qytetar nderi” për fotoreporterin italian