Në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” artdashësit durrsakë po ndjekin këto ditë ekspozitën e piktores Emjona Stasi.

Piktorja durrsake në ekspozitën e saj të katërt personale ka sjellë për shikuesit 77 punime, kryesisht në teknikat e pastelit dhe vajit.

Në pjesën e parë të ekspozitës mbizotërojnë punimet e frymëzuara nga peisazhet shqiptare, kryesisht ato të qytetit të Durrësit, por edhe natyrat e qeta e kompozimet, ndërsa më pas vendin e zenë tablotë e punuara, në Kaliforni, SHBA, atje ku piktorja ka hapur edhe një ekspozitë personale.

Punimet e artistes janë vlerësuar nga vizitorë vendas dhe të huaj, ndërsa kolegët e saj nënvizojnë rritjen artistike të autores.  

Emjona Stasi që nga viti 1977, kur përfundoi studimet në Universitetin e Arteve Tiranë, ka marrë pjesë në afro 50 ekspozita të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit, ndërsa punimet e saj i gjen përveç fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe asaj të Durrësit ndodhen edhe në arkiva private në Itali, Maqedoni, Greqi, Gjermani, Hollandë, Kanada dhe SHBA.

Ekspozita personale e piktores Emjona Stasi do të qëndrojë e hapur deri më 10 tetor.

G.K.