Nga Gëzim Kabashi

Dorëshkrimi i romanit "Përbindëshi" të Ismail Kadarësë është ruajtur për më shumë se 25 vjet në familjen e regjisorit, shkrimtarit dhe përkthyesit Gjergj Vlashi, dhe pas Durrësit dhe Korunjës në Spanjë ai i është dorëzuar autorit para më shumë se një viti në Paris.

Shkrimtari i madh shqiptar, Kadare, i cili gjatë një interviste dhënë një gazete të përditshme falenderon publikisht mikun e tij të hershëm Gjergj Vlashi, për ruajtjen e dorëshkrimit.

"Nuk jam ndonjë maniak dorëshkrimesh, por as model i shpërfilljes ndaj tyre"-thotë Kadare në intervistën e tij. Më kanë humbur disa pak dorëshkrime, për të cilat nuk kam fajësuar askënd. Lidhur me dorëshkrimin e "Përbindëshit", që e ka përmendur shtypi, ia kam dhënë unë vetë, për ruajtje, mikut tim të hershëm, Gjergj Vlashit, të cilin përfitoj nga ky rast për ta falënderuar publikisht-nënvizon Ismail Kadare.

Në një intervistë të vitit 2012 regjisori i mirënjohur Vlashi kujton mesin e viteve 1980, kur Kadare në shtëpinë e tij në Tiranë përpiqej të krijonte hapësira të librat e ardhshëm. "Isha për vizitë te Kadaretë –tregon Gjergj Vlashi – dhe nga përvoja personale e dija se sa pak vend kishim në shtëpi ne që merreshim me librat".

“Ismaili kishte nxjerrë disa dorëshkrime dhe mes tyre “Përbindëshin”, të cilin e kisha lexuar të botuar në revistën “Nëntori” gati 20 vjet më parë.

“Ishte një marrëveshje gati e heshtur dhe në dosjen me fletët e shkruara bashkë me “Përbindëshin” ndodheshin edhe dorëshkrime tregimesh dhe poezish, që siç dihet janë më të rralla në krijimtarinë e Kadaresë-vijon Gjergj Vlashi.

Për vite me radhë dorëshkrimet e autorit më të madh shqiptar, i cili botohej nëpër Evropë dhe në fushata promovimesh ndodhte të anatemohej në atdhe janë ruajtur në bibliotekën e shtëpisë së Gjergj Vlashit në Durrës, saktësisht në pjesën e “ndaluar” të saj, ku siç dëshmon Floriani, djali i dytë I regjisorit, bashkë me to, larg syve të kuriozëve ruhej edhe Bibla.

“Ishte shumë kënaqësi, por në të njejtën kohë edhe përgjegjësi, të kishe dorëshkrimet e një autori dhe miku si Kadare-shprehet Gjergj Vlashi, një çerek shekulli pasi morri përsipër barrën të mbante në shtëpi dorëshkrimin e një romani, i cili u hoq nga qarkullimi gati 50 vjet më parë. Gjërat u komplikuan më shumë, kur pas largimit demostrativ antikomunist të familjes Kadare nga Shqipëria dikush në rrethin e largët të miqve më kujtoi se në shtëpi unë mbaja dorëshkrimet e autorit disident-kujton regjisori durrsak, duke shtuar: Ishin kohë të tjera dhe rreziku ishte i pranishëm.

Gjergj Vlashi ka vendosur ta sigurojë dorëshkrimin në një mënyrë tjetër, menjëherë pas fillimit të erës demokratike.

Djali i tij Floriani, me profesion violinist po shkonte në Spanjë, për të punuar dhe jetuar në Korunja, në skajin më veriperëndimor të gadishullit Iberik. Atje dorëshkrimi i “Përbindëshit” do të ishte më i sigurtë.

“Kur erdha në Spanjë në vitin 1992, mora me vete shumë gjëra që i kisha për zemër; disa piktura, orën e vjetër të murit, radion gjermane, hapësen e verërave që kish përdorur gjyshi, disa libra të fëmijërisë, etj.-kujton instrumentisti, që në atë kohë mbushte 30 vjeç.

Ndër to ishte edhe një dosje e kuqerremtë, doreshkrimi i “Përbindëshit” të Ismail Kadaresë-thotë Flori. E dija se im atë, prej vitesh e kishte ruajtur me shumë kujdes dorëshkrimin e njërit prej librave më të kritikuar të çensurës komuniste. Ishte në bibliotekën e shtëpisë, në pjesën e “librave të ndaluar”, ku ndër të tjera ishte edhe një botim i vjetër i Biblës”.

Vlashi mendon se përzgjedhja e “librave të ndaluar” të bibliotekës për në Spanjë lidhej me influencën e madhe që ato kishin patur në formimin e tij.

Dorëshkrimi i "Përbindëshit" ndërroi banesë, duke u vendosur tashmë lirshëm në bibliotekën e njërit prej pinjollëve të Gjergj Vlashit, në Korunja të Spanjës, disa mijra km larg Tiranës dhe Durrësit, prej nga ku filloi edhe udhëtimi i tij.

"Ismaili më telefonoi në mars të vitit të kaluar-tregon Flori, pjesën e fundit të sagës së dorëshkrimit. Biseduam për kthimin e dorëshkrimit".

"Megjithëse pranova menjëherë, brenda meje ndjeva dhimbje – thotë Vlashi i ri. Njeriu është i çuditshëm. Krijon disa lidhje aq të forta sentimentale, me sende, me vende, me tinguj apo aroma..,. gati si me njerëzit, pa e ditur kurrë arsyen e vërtetë".

Më 2 prill të vitit 2011 bashkëshortët Florian dhe Rediana Vlashi, së bashku me "Përbindëshin" kanë fluturuar nga Korunja drejt Parisit. Në atë dosje me fletët e shkruara me laps ishte romani më i guximshëm e më modern shqiptar i shkruar në shekullin e 20-të.

Më pas Floriani kujton bisedën në shtëpinë e Kadaresë: "Ismaili, pasi na falenderoi mjaft ngrohtë, filloi të shfletonte me kujdes faqet e verdha të doreshkrimit. Dukej i qetë, megjithëse vura re që dora i dridhej pak. Ishte i emocionuar. Unë po ashtu, por për arsyen e kundërt", – kujton Florian Vlashi ditën e dorëzimit të dorëshkrimit te autori i tij, Ismail Kadare.

"Përbindshi", me lëvizjen Durrës – La Coruña – Paris – Tiranë, krijonte kështu një trekëndësh gjigant…si kodet misterioze në “librat e ndaluar”- e mbyll tregimin e tij Florian Vlashi, djali i regjisorit, shkrimtarit dhe përkthyesit të njohur Gjergj Vlashi, biri dhe babai që ruajtën për më shumë se 25 vjet dorëshkrimin e veprës "Përbindëshi" të Ismail Kadaresë.