Në pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit është organizuar një ceremoni e veçantë, ajo e festimit të 90-vjetorit të regjisorit dhe shkrimtarit të shquar durrsak, Gjergj Vlashi. Në fjalën e hapjes, drejtori Bashkim Hoxha, ka sjellë në vëmendje të pjesmarrësve figurën komplekse të Vlashit, si figura e dytë mbas Aleksandër Moisiut që mban Urdhërin “Nderi i Kombit”.

Hoxha e cilësoi figurën e Vlashit si atë të pedagogut të të gjithë aktorëve dhe shkrimtarëve, me një kontribut të veçantë si krijues trupash artistikë dhe shkrimit të shumë veprave letrare dhe përkthimit të shkrimtarëve të shquar botërorë.

Gjergj Vlashi, u theksua në takim, ka themeluar trupën e teatrit të kukullave dhe në vitin 1960, ka krijuar trupën e estradës profesioniste të këtij qyteti ku edhe shërbeu si regjisor deri në vitin 1990. Kjo trupë është shquar në atë periudhë dhe ka marrë shume çmime. Në punën e Gjergj Vlashit rënditen sot rreth 110 premiera. Po ashtu ai njihet si autor I 45 veprave letrare përfshirë edhe përkthimet. Në bilancin e 90 vjetorit të tij, rënditen rreth 15 çmime të rëndësishme kombëtare.

Gjergj Vlashi ka lindur në Durrës më 13 korrik 1928. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në qytetin e lindjes. Që në vitet e para të pas luftës u mor me teatrin amator dhe debutoi në disa shfaqje si "Nën gështenjat e Pragës', "Prefekti", "Çani hoxhë", etj. Pas shërbimit ushtarak punoi si regjisor në klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës.

Më 5 maj të vitit 1960 u krijua trupa e estradës profesioniste dhe u caktua regjisor, detyrë që e mbajti deri në vitin 1990, kur doli në pension. Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes. Regjisori dhe shkrimtari Gjergj Vlashi është nderuar nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, me Urdhërin “Nderi i Kombit”. Ai gëzon edhe titullin "Artist i Popullit".