Koreografi i njohur Ilir Kerni është emëruar drejtor i Teatrit Kombëtar të Kroacisë dhe do të jetë në këtë post për 4 vjet.

Artisti që mbart disa tituj si “Artist i merituar”, Urdhri “Naim Frashëri”, “Oskar Ormosh” (2 herë), “Çmimin më të lartë në Kroaci”etj., dha kontributin e tij për afro 3 vite edhe Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Shqipëri, si drejtuesi i këtij institucioni, derisa në verë të 2016-s dha dorëheqjen. Asokohe u fol për “presione” të jashtme, që e detyruan Kernin të hiqte dorë nga misioni i tij për të mos lejuar degradimin e TKOB e për ta zhvilluar më tej atë.

Pas përzgjedhjes nga kroatët, për të drejtuar Teatrin Kombëtar të Splitit, baletmaestro është shprehur se: “Jam super i lumtur të jem pjesë e skuadrës fantastike të Teatrit Kombëtar të Splitit. Me një ansambël baleti dhe traditë të jashtëzakonshme. Drejtor i Baletit nga 10/01/2019- 01/10/2023”.

Po ashtu përmes një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar dhe sopranoja Ermonela Jaho. “Urime Ilir Kerni për emërimin e merituar si Drejtor i Baletit në Teatrin Kombëtar të Splitit (2019-2023) dhe komplimente kroatëve për largpamësinë dhe vlerësimin ndaj një vlere artistike kombëtare shqiptare si ju”, ka shkruar Jaho.

Ilir Kerni gjatë drejtimit të TKOB arriti të sillte koreografi që kishin prekur skenat më prestigjioze si ato të Prelocaj, Barak Marshallit, Youri Vamos-it, Daniel Cardoso-s, Marinel Stefanescu-s dhe Liliana Cosit, Renato Zanellës etj.

Pavarësisht largimit nga Shqipëria, Kerni ka treguar ndjeshmëri ndaj temave delikate si ajo e Teatrit Kombëtar duke shprehur edhe mbështetjen e tij ndaj artistëve që mbrojnë godinën. Shembull i një objekti të lashtë trashëgimie është edhe vetë Teatri Kombëtar i Splitit, pasi mbart një histori 126-vjeçare, si një nga teatrot më të vjetër të Kroacisë.