Nga Kujtim Agalliu                           

Kjo verë erdhi e begatë në Elbasan. Gurra e krijimtarisë letrare ligjëroi me gjuhë fëshfërimash, me ndjenja dhimbjeje dhe dashurie, me psherëtima gëzimi dhe me oh-fe pezmi e zhgënjimi. Secili poet, apo shkrimtar shprehu në të një botë, një copëz botë nga shpirtit i tij, një copëz botë nga ajo që e rrethon, e mbushur me të papritura të këndshme dhe, pse jo, të hidhura. Shpirti i poetëve  ka derdhur të gjitha të fshehtat e tij, nën kapakët e vëllimeve të tyre poetike. 

Midis tyre, është edhe poetja Kadrije Gurmani e cila, nën titulli kuptimplotë “Trëndafila të dashurisë”, ka renditur një buqetë erëmirë poezish të mbushura me aromë ndjenjash dhe mbresash nga jeta dhe realiteti i saj. Titulli i librit nuk është thjesht një titull por, sipas mendimit tim, është një kordon i bleruar poetik që e ka kapur fort Kadrijen pas qytetit të saj, qytetit të luleve dhe trëndafilave që lulëzojnë në çdo stinë. Po ashtu, si ata lulëzon edhe poezia e poetes në këtë vëllim poetik. 

Këtë vëllim të veçantë në llojin e tij e përshkon tejetej dashuria. E madhja dashuri, pa të cilën askush nuk jeton, askush nuk frymon, ka pushtuar shpirtin e autores dhe ndahet në tre drejtime, dashuria, si dashuri burrë-grua, dashuria për njerëzit më të dashur, atdheut dhe miqve e shokëve që e rrethojnë. Është meritë e autores që këtë ndjenjë të parcelizuar në tre komponentë ta sjell aq të prekshme, aq fine, aq të hollë e me tharmë poetik në vëllim. Pak fjalë, shumë domethënie shprehet në vargjet e saj: 

Pa hyrë në hollësi, autorja me një figuracion të zgjedhur poetik shprehet: 
“Më zgjoi aroma dehëse e një shtogu,/ kur lehtas e lëkund puhizë e bardhë….vetëm kjo fjalë e fundit mjafton për të imagjinuar e përfytyruar se si ka qenë ajo puthje mëngjesi në këtë mjedis poetik. Po për njeriun e zemrës? Për atë që ia ka mbushur shpirtin me dashurinë dhe përkujdesjen e tij, si dëshiron poetja t’i kthej këtë mirënjohje, këtë ndjenjë reciproke: “Në krahët e tua, ndihem e ngrohët, më mbaj shtrënguar, në tëndin gji…” 
Poetja Kadrije Gurmani nuk e duron heshtjen, eh, kush e duron, a nuk më thoni? Kush është ajo zemër e dashuruar që të fsheh brenda saj atë lloj ndjenje që nga çasti në çast mund të të ndez zjarr? Ajo ndoshta është për të tjerë por jo për poeten që: Do poezinë, do liqenin, do hënën dhe diellin, do gjithësinë… Prandaj ajo nuk do të hesht, por do të këlthas me të gjithë forcën e shpirtit: “Të dua, oh sa të dua!”

Po kështu, vendi i veçantë dhe emblemën e librit e ka aureluar poezia për nënën, qenien më të dashur e të gjitha dashurive. Autorja shprehet thjesht, por godit me forcë në shpirtin e lexuesit: “Nënë, sa herë të puth dorën,/ loti vrimon akullin, shkrin dëborën,/ Nënë, sa herë të puth në faqe, nga balta oaze çel lule manushaqe.” Pra, a ka kush të shtojë më tepër se këta vargje, për të përshkuar dashurinë për nënën, apo e ndërsjellta e kësaj? 

Edhe dashuria për vëllanë është mbresëlënëse, e ndjerë dhe depërtuese kur ajo shprehet: 
“Pa ty…/ Jam heshtje në errësirë, Jam një elegji, Jam udhëkryqi pa adresë…” 
Të papriturat, situatat befasuese të poezisë së Kadrijes janë të shumta. Ato vinë natyrshëm te lexuesi, pa u kuptuar dhe zënë vend në vetëdijen e tij. 

Kadrija i ka vënë detyrë vetes të jetë një luftëtare  sypatrembur, e guximshme, e sinqertë dhe me kurajë në detyrën që i ka vënë vetes si poete. Dhe këtë rrugë nuk ka për ta braktisur, do t’i injorojë vështirësitë dhe pengesat e saj, sepse kështu dinë të veprojnë poetët kur marin guximin të shprehinë në vargje botën e tyre shpirtërore. Ata nuk ka njeri t’i ndalë në këtë rrugë, në këtë mision human për një shoqëri të emancipuar dhe moderne, ku të mbizotërojë dashuria dhe mirëkuptimi midis njerëzve.

Ajo shprehet:
“Nuk ndalem asnjëherë,/ As dielli i mëngjesit nuk m’i verbon sytë./ ……………../ sot arritëm më larg sa s’e mendova se do të arrijmë…/ Por poeti gjithmonë ecën larg me përjetimet dhe frymëzimin e tij, as vetë nuk e di se ku vete në atë kalamendje frymëzimi dhe fantazie. Por ai ecën, vazhdon të ecë, deri ku ta zvarris vargu i tij poetik. 
Por unë nuk do të bëj analizën e poezive të vëllimit, të cilat janë të shumta dhe të larmishme, njëra më e ndjerë se tjetra, njëra më kuptimplote se tjetra, njëra më e ëmbël dhe melodike se tjetra e kështu me radhë. 
Ajo që dua të theksoj te ky vëllim i autores është thjeshtësia dhe bukuria e vargjeve, larg pompozitetit, larg të të marrit poza poetike dhe fjalëve të “mëdha”. 

Një nga karakteristikat e poezisë së autores është thjeshtësia e të shprehurit, thjeshtësi që e bën atë të depërtojë me lehtësi te lexuesi dhe të zërë vend përgjithmonë në vetëdijen e tij.   
Pa pretenduar se i kam thënë të gjitha në këtë analizë të shkurtër, një gjë e di me saktësi se, Kadrije Gurmani është një zë origjinal dhe premtues i poezisë së sotme shqipe dhe, mbi të gjitha, një zë që na bënë krenar neve si bashkëqytetas të saj.