Katër piktorë profesionistë dhe amatorë, të cilët i bashkon mbiemri Faja kanë ardhur së bashku nga Shijaku për të çelur një ekspozitë në Durrës.

Është ekspozita e parë që hapet në galerinë “Nikolet Vasia” pas tërmetit të 26 nëntorit, një simbol i kurajos dhe besimit për të rifilluar jetën normale si në Shijakun e autorëve edhe në Durrësin e mikpritjes.

Franci, 18 vjeç, nxënës në shkollën e mesme; Rudolfi, 23 vjeç, si dhe Arditi dhe Ergysi, që të tre piktorë të diplomuar në Universitetin e Arteve, janë nipat dhe djemtë e Agim Fajes, një prej emrave të nderuar të pikturës shqiptare.

Ekspozita e tyre titullohet “Motive në letër”, dhe si titull shpirtëror ata e kanë quajtur “Pas gjurmëve të babait”.

Sot ata kanë sjellë 190 punime në teknikat laps, karbon, tempera, pastel dhe akuarel. Që të gjitha peisazhe, të cilat i kanë shkelur fillimisht së bashku me të jatin, piktorin e merituar Agim Faja.

Arditi që më ftoi të mbaj këtë fjalë modeste, më kërkoi të tregoj sot se si e kam njohur të jatin piktor, të cilit i kushtohet kjo ekspozitë.

Kush ishte Agim Faja?

Agim Faja ndërroi jetë dy vjet më parë, në moshën 78-vjeçare.

Emri i artistit është i lidhur shumë ngushtë me Shijakun, qytetin ku lindi dhe dhe ku punoi gjithë jetën.  

Agim Faja ishte ilustruesi i “Abetares”, librit të parë të fëmijëve shqiptarë për më shumë se 15 vjet.  

Në vitin 1966 ai merr përsipër të ilustrojë me 35 grafika “Tregimet e moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, një nga librat që vazhdon të ndezë imagjinatën e fëmijëve shqiptarë me legjendat e Mujit e Halilit, me zanat  dhe me orët e malit.

Në 55 vjet karrierë artistike Agim Faja ka hapur 11 ekspozita personale, të cilat kanë shëtitur në qytete të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Punimet e tij janë ekspozuar në Egjipt, Kinë, Algjeri, Turqi, Rumani, Kosovë, Francë, Itali e Gjermani, dhe një pjesë kanë mbetur atje në koleksionet private apo shtetërore.

Agimi do të mbahet mend gjatë edhe për kontributin në hartimin e historisë së Shijakut, një vepër në 5 vëllime.

Shijaku i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” piktorit të shquar Agim Faja.

Do ta mbyll me fjalët që i shkruan të jatit Agim Faja, Ergysi, apo Gusti si e thërrasin të gjithë.

“Sot nuk e kam më luksin që të më shohësh peisazhet e mbaruara.

Më mungojnë këshillat e tua elegante dhe mjeshtërore, më mungojnë përgjithmonë sytë e tu të dashur e të ëmbël, si dhe përkrahja yte.

Babi, nuk e di a do të nderoj?”

Ekspozita e artistëve shijakas në Durrës do të jetë me siguri një ogur i mirë pas dhimbjes së ditëve të fundit, por edhe në prag të festive të fundvitit.

Gëzim Kabashi