Shtëpi kukulle - Tragjedia moderne në kërkim të barazisë gjinore

10/02/2021 - 12:18

Nga Gladiola Jorbus

Kur flasim për feminizëm, natyrshëm na vijnë ndër mend emra si Virginia Woolf apo Simone de Beauvoir, por nuk duhet lënë pa përmendur dramaturgu norvegjez Henrik Ibsen (edhe pse në një kongres të grave, ka thënë se nuk ishte feminist), i cili me gjenerimin e ideve që përcolli përmes veprës së tij të mirënjohur "Shtëpi kukulle" ka tronditur opinionin publik të kohës. Madje një mori tiparesh që tipizojnë personazhet e asaj drame vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot e kësaj dite.

A ka të drejtë një grua të braktisë shtëpinë, bashkëshortin dhe fëmijët e saj?! A ka ajo përgjegjësinë ndaj vetes të kërkojë dhe të gjurmojë në  thellësitë e saj?! Cili është reagimi i shoqërisë, përballë moralit të thellë të këtij gjesti?!

Boshti komplementar i veprës "Shtëpi kukulle" që krijon trekëndëshin shkak – konflikt – pasojë është paraja. Ajo sjell kundërvënien e madhe maskilizëm versus feminizëm. 

Parimisht Nora, personazhi kryesor i veprës është një grua dhe bashkëshorte e nënshtruar. Ajo dhe Torvaldi janë të martuar prej tetë vjetësh së bashku. Sjellja e Torvaldit ndaj saj ngjason me përkujdesjen e një babai më shumë se sa me atë të një bashkëshorti. Ai e konsideron gruan e tij të re një krijesë fëminore dhe të lumtur.

Por Nora nuk është aspak kukulla mendjelehtë që burri i saj mendon. Për të shëruar të shoqin nga një sëmundje e rëndë, ajo merr borxh nga Krogstad, një peshkaqen huadhënës duke falsifikuar nënshkrimin e babait të saj.

Pavarësisht se për njëfarë kohe duket sikur gjendja po përmirësohet, Krogstad kërcënon Norën se do të zbulojë gjithçka, fillon ta shantazhojë, derisa në fund zbulon sekretin e saj.  

Më kot, ajo përpiqet të fitojë mirëkuptimin e Torvaldit. Ai ndihet tepër i indinjuar dhe i shqetësuar për skandalin që mund të shpërthejë, i cili do të vinte në dukje inisiativën e saj dhe do të zbehte dukshëm rolin e tij si mashkull në sytë e shoqërisë. Gjatë gjithë kohës, Torvaldi ndihet i kërcënuar nga dështimi dhe frika se nuk do të marrë respektin e duhur në komunitet.

Torvaldi e akuzon Norën se është sjellë si një grua e padenjë, së cilës s’duhet t’i lejohet më, as të kujdeset për fëmijët e saj. Gjithsesi, edhe pse ai thotë se Nora i ka shkatërruar lumturinë, përsëri këmbëngul që ajo të mbetet në shtëpi, pasi shqetësimi i tij kryesor mbetet të shpëtojë "imazhin" e familjes së tyre.

Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së mikeshës së Norës, gjithçka zgjidhet. Kështu që, përderisa rreziku i skandalit nuk ekziston më, Torvaldi e fal Norën duke nxjerrë kështu në pah, egoizmin dhe mediokritetin e tij.

Sidoqoftë, Nora nuk konformohet me faktin që i shoqi e trajton si një  fëmijë të vogël e të papjekur dhe e quan ‘budallaçkë e vogël’.

Ajo vendos të rebelohet, e vetëdijshme se ka të drejtën dhe detyrën e vënies në vend të identitetit të mohuar. Nora në kërkim të vetes braktis familjen, fëmijët dhe shtëpinë e saj. Henrik Ibsen, pa asnjë falsitet zbulon hipokrizinë e të ashtuquajturës borgjezi e respektuar. Ai thekson shqetësimet dhe krizat individuale që fshihen pas fasadës së rreme.

Personazhet zhyten në thellësitë e ndjenjave të tyre më intime. Dramaturgu norvegjez evidenton detajet negative që diktohen nga egoizmi dhe mbrojtja e rreptë e interesave personale, familjare apo shoqërore.

Edhe pse familja duhet të jetë altari i përkryer i dashurisë, harmonisë dhe respektit të ndërsjellë, ajo mund të shndërrohet gjithashtu në epiqendrën e kontradiktave a mosmarrëveshjeve që mund të çojnë në çmitizimin e saj.

Cili është roli që duhet të ketë gruaja në familje dhe sa bashkëshorte mund t’i përngjasojnë edhe në ditët e sotme Norës, protagonistes së kësaj drame?!  Po personazhi i Torvald Helmerit a ka sivëllezër në ditët e sotme?!

Ai mund të përshkruhet si antagonisti, si njeriu kontrollues dhe dominues në jetën e Norës, i cili ka bindjen se një grua është mbi të gjitha një bashkëshorte dhe një nënë, ndaj nuk ka pse të mendojë për asgjë tjetër përveç familjes dhe burrit të saj. Ajo duhet të heqë dorë nga gjithçka tjetër.

Torvaldi përfaqëson atë kategori meshkujsh që besojnë se roli i një burri në martesë është të mbrojë dhe të drejtojë gruan e tij. Ai i jep vazhdimisht përparësi reputacionit të vet mbi dëshirat e gruas së tij dhe e shijon idenë se Nora ka nevojë për udhëzimin e tij moralist, andaj ndërvepron me të si një baba.

Madje marrëdhënien me të shoqen e ka ndërtuar mbi epërsinë dhe arrin deri aty sa t’i thotë: ‘E dini që unë shpesh kam dashur që të përballeni me disa rreziqe të tmerrshme, në mënyrë që unë të rrezikoja jetën dhe gjymtyrët, të rrezikoja gjithçka, për hirin tuaj?’.  Torvaldi e konsideron domethënëse dhe tërheqëse varësinë e plotë të një gruaje nga burri.  Me sjelljen, diskursin dhe mendësinë e tij dëshmon se dashuria që ndjen për Norën ndikohet nga fakti që ajo është inferiore ndaj tij qoftë në fuqi, qoftë në intelekt.

Torvaldi përcakton kufijtë e dashurisë së tij për Norën, teksa ajo pret që i shoqi të marrë përsipër fajin për nënshkrimin e falsifikuar. Por ai pretendon se kjo sakrificë do të dëmtonte rëndë nderin e tij.

Nora evidenton se gratë kanë bërë gjithnjë sakrifica për familjet e tyre. Ajo nuk ngurroi të sakrifikonte të atin, shkollimin dhe emrin e saj të mirë për Torvaldin, duke falsifikuar firmën. Fakti që ai nuk është i aftë të bëjë të njëjtën sakrificë për të shoqen, zbulon një marrëdhënie të çekuilibruar mes tyre. Nora akuzon burrin dhe babanë e saj, se e kanë përdorur si një kukull. Ajo e konsideron veten të papërshtatshme për të qenë grua dhe nënë derisa të mësojë pikësëpari të jetë vetvetja.

Vetë Ibsen ka shkruar në një shënim se gratë nuk mund të jenë vetvetja në një "shoqëri ekskluzivisht mashkullore, me ligje të bëra nga burrat dhe me prokurorë e gjykatës që vlerësojnë sjelljen femërore nga një pikëpamje mashkullore.

Sipas Torvaldit, personazhit të dramës një grua nuk e gëzon lirinë e mendimit, pasi burri ka autoritetin të kontrollojë çfarëdo që ajo bën. Bindja se burri është i zoti i shtëpisë dhe se shtëpia përfshin edhe gruan e tij, sfidohet në fund të shfaqjes, kur Torvaldi kupton se nuk mund të bëjë asgjë për të ndalur Norën që të largohet.

Ajo është simbol i gruas që lufton për barazi dhe nis rrugëtimin drejt vetëpërmbushjes. Nora e nisi atë udhëtim në vitin 1879 dhe siç thotë dramaturgia britanike Zinnie Harris "...është detyra jonë që ta vazhdojmë".

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Kompozitori i njohur, Agim Krajka është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare të hënën e 1 marsit.

Filmat "Nomadland" dhe "Borat", kanë qenë fituesit më të mëdhenj të dielën në ceremoninë e ndarjes së çmimeve "Golden Globes".

Genti Gjonaj, djali i skenaristit dhe regjisorit Kujtim Gjonaj ka publikuar një mesazh të ndjerë për babain e tij, i cili u nda sot nga j

Është ndarë nga jeta në moshën 74 vjeçare skenaristi dhe regjisori i mirënjohur Kujtim Gjonaj.

Me 4 gusht 1606, një armatë me 26 galera spanjolle u nis nga Brindisi e komanduar nga markezi i Santa Kruzit, Alvaro de Bazan dhe në orën

Këtë të enjte është shuar në moshën 79-vjeçare poeti vlonjat Lefter Çipa.

Ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare, aktori i njohur, Andon Qesari. Këtë lajm e ka bërë të ditur djali i tij, Edon Qesari, përmes një po