Nga Gëzim Kabashi

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 e dëmtoi rëndë një pjesë të mjediseve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës, veçanërisht sallën e madhe të shfaqjeve. Ndërkaq rindërtimi i tyre duket i largët.

Koreografi Arjan Plaku, i cili ka një përvojë të gjatë në përgatitjen artistike të fëmijëve, tha për BIRN se instruktorët po i zhvillojnë kurset në mjediset e shkollave 9-vjeçare.

“Por në kushtet e masave kufizuese të pandemisë veprimtaritë zhvillohen “on line” dhe mungesa e sallës së shfaqjeve dhe koncerteve i vështirëson regjistrimet video të grupeve të vogla me artistët e rinj,” shton koreografi durrsak.

Tkurrja e numrit të sallave me destinacion artistik  në qytetin bregdetar nuk ka filluar me dëmtimet nga tërmeti.

Në fillim të viteve ’90, një pjesë e mjediseve që gjatë periudhës së diktaturës u përdorën për motive kulturore iu rikthyen istitucioneve fetare, pasi regjimi komunist i kishte shfrytëzuar si qendra edukative kulturore.

Një pjesë tjetër iu rikthyen ish-pronarëve, megjithëse legjislacioni përcaktonte ruajtjen e destinacionit deri në gjetjen e një mjedisi tjetër.

Pallati “Rinia” dhe kinoteatri “Pioneri”, që u përdorën për gati 30 vjet si vende zbavitjeje për moshat e reja u rindërtuan si Xhamia e Madhe dhe Katedralia “Shën Luçia”.

Privatizimi i disa ndërmarrjeve ekonomike në qytet hoqi të drejtën e shfrytëzimit të disa sallave të tjera për shfaqje, ekspozita dhe koncerte.

Por pushteti vendor nuk u kujdes në asnjë moment për hapësirat e zhvillimit të veprimtarive artistike, edhe atëhere kur biznesi privat i ruajti marrëdhëniet e sallave me kulturën qytetare.

Emiljan Metaj, nismëtar i shumë aktiviteteve, tha për BIRN se në fillim të viteve 2000 , dy sipërmarrës të pasionuar, rikthyen kinemanë e qytetit pikërisht atje ku për katër dekada me radhë kishte funksionuar kinoteatri “Aleksandër Moisiu” dhe më pas kinema “14 nëntori”.

Salla moderne me 400 vende, sistemi “dolby surround” i dëgjimit dhe holli mjaft i përshtatshëm për ekspozita të arteve pamore e bënin kompleksin në qendër të qytetit mjaft joshës për shikuesit, por e lehtësonin edhe administratën bashkiake nga detyrimi i shpejtë për ngritjen e një kinemaje publike.

“Përkundrazi, bashkia nuk u kujdes për lehtësimin nga taksat të këtij biznesi me drejtim kulturor, i cili pas një viti të vështirë financiar, u detyrua të largohet nga Durrësi drejt një qyteti tjetër,” shton Emiljani, sipas të cilit jeta artistike në qytet u zbeh edhe më tej.

Madje, edhe kur në qytet filloi të organizohej një festival ndërkombëtar filmi, bashkia nuk bëri përpjekje për ndërtimin e një kinemaje të re.

Përkundrazi, të tjera salla dolën nga lista e veprimtarive kulturore.

Një prej tyre ishte ajo e Ndërmarrjes së Cigareve në qendër të qytetit.

Prishja e godinës 80-vjeçare të STAMLES “morri me vehte” edhe vendin ku përgatiteshin artistët amatorë, si dhe ku organizohëshin shfaqjet e ansambleve apo të grupeve teatrore.

Ndërkaq kompleksi i klubit “Mujo Ulqinaku” iu kalua Universitetit të Durrësit për të ndërtuar godinën e Rektoratit.

Prej afro dy dekadash asgjë nuk ka ndryshuar në këtë territor, veç çatisë së Klubit të djeshëm, e cila është rrënuar thuajse plotësisht.

Një tjetër shans i humbur për të ndryshuar pasditet dhe mbrëmjet e të rinjve të shumtë e të talentuar në qytet.

E njejta situatë mbizotëron edhe në ish-komunat, që tani bëjnë pjesë në hartën territoriale të bashkisë së Durrësit.

“Në Ishëm pallati i kulturës iu rikthye xhamisë, njëlloj si qendrat kulturore edhe në fshatrat Draç e Bizë,” tha për BIRN Lulzim Bega, instrumentist dhe drejtues i grupeve artistike në veri të bashkisë.

As në kompleksin turistik veror në plazhet e Shën Pjetrit  nuk janë ngritur salla kinoteatri, çka e bën të pamundur jetën artistike lokale.

Lulzimi shton se ai ka gjetur me qira të ulët një sallë për prova në Tiranë,  dhe të gjitha veprimtaritë private  apo rajonale i përgatit në kryeqytet, 35 kilometra më tej.

Artisti nga Ishmi nuk ka besim në zgjidhje e shpejtë të problematikës, sidomos tani që zona ku ai banon, vazhdon të përballojë dëmet e rënda që u shkaktoi familjve dhe bizneseve tërmeti i fundvitit 2019.

Por, sipas Emiljanit situata është e ngjashme edhe në disa qytete të tjera të vendit.

“Në Ksamil unë u njoha jo vetëm me mrekullinë artistike të kompozitorit Limos Dizdari dhe zonjës së tij pianiste, Adriana,” thotë ai, teksa tregon se artistin e mirënjohur po e kërcënojnë për ta larguar nga qendra kulturore që ai ka krijuar vetë.

Shtëpia e artit që mjeshtri ka krijuar me shpenzimet e veta nuk i shërben vetëm komunitetit, por edhe turistëve që vizitojnë Sarandën.

Koncertet e artistëve të rinj, vendas e të huaj, mund ti ndjekin njëherësh 120 shikues në sallën e quajtur “Dafinat”, ndërsa veprimtaritë e librit zhvillohen në bibliotekën “Migjeni”, brenda kompeksit që mban emrin “Dea”.

Prindërit e fëmijëve të talentuar që përgatiten atje ishin të shqetësuar për të ardhmen e Qendrës, pasi përgatitja e tyre si instrumentistë është e lidhur me drejtuesit e saj artistë.

“Gjatë këtij viti të pandemisë nga Covid 19, prindërit kanë shfaqur një interesim në rritje për pjesmarrjen e fëmijëve të tyre në festivalet on line, si ky i ansambleve të shkollave që po përgatisim tani,” tha Arjan Plaku, duke shtuar se nxënësit e pasionuar po përgatiten aktualisht në disa shkolla që kanë kushte të përshtashme, edhe për kufizimet shëndetsore.

“Një prej tyre është edhe shkolla artistike “Jan Kukuzeli”, e cila u rindërtua plotësisht para tre vjetësh” – tha Arjan Plaku.

Shkolla ka edhe një sallë koncertesh të emërtuar “Black Box”, e cila përveç aktiviteteve artistike të shkollës duhet të mikpresë edhe veprimtari të organizuara nga komuniteti rinor i qytetit.

“Për fat të keq, sallës me kapacitet 200 shikues, po aq sa ajo që u dëmtua nga tërmeti në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, i mungojnë ende pajisjet dhe aparaturat, të cilat krijojnë kushte normale për organizimin e shfaqjeve dhe koncerteve,” përfundon koreografi Arjan Plaku. /BIRN