Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherazi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ftuar në takim drejtuesit e partive opozitare për të diskutuar lidhur me formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, i cili bëri të ditur se ftesa u është dërguar kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
“Po, sot në mëngjes Kryeministri Kurti ka dërguar letër për takim tre kryetarëve, të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së”, konfirmoi Manxhuka.
Deri më tani nuk është bërë e ditur se kur do të zhvillohen takimet mes Kurtit dhe liderëve të opozitës.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se në orën 15:00 do të mbledhë Kryesinë e partisë për të diskutuar zhvillimet e fundit politike.
Ftesa e Kurtit vjen pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe nisjes së afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, një proces kyç për krijimin e institucioneve të reja të vendit.





