Politikani gjerman, njëherësh edhe deputet i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer, ka reaguar lidhur me deklaratën e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Hill ka thënë se Vuçiç-in e konsideron ‘’partner të mirë’’, derisa e ka vënë në pikëpyetje nëse ShBA-ja mund ta konsiderojë ende Kurtin ‘’partner’’.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë.”- ka thënë Hill.

Butikofer reagoi duke thënë se deklarata e Hill-it është thjesht një çmenduri.

“Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, duke komentuar konfliktin e vështirë Serbi-Kosovë, e quan Presidentin Vuçiq “partner të mirë” derisa vë në pikëpyetje nëse Shtetet e Bashkuara ‘mund ta konsiderojnë ende” Kryeministrin e Kosovës “partner”. Thjesht çmenduri”- tha Butikofer në rrjetin social ‘’Twitter’’.