Albin Kurti po raporton këtë të enjte në Kuvendin e Kosovës për takimin e Ohrit, ku Kosova dhe Serbia ranë dakord për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, marrëveshje e cila ende nuk është firmosur zyrtarisht. Kurti u shpreh se kapitulli i vështirë i marrëdhënieve mes dy vendeve duhet lënë pas. Sipas Kurtit është Serbia ajo e cila duhet t’i nënshtrohet disa ndryshimeve për të normalizuar jo vetëm marrëdhëniet me Kosovën, por edhe vetë si shtet.

“Kosova është e gatshme të jetë pro-aktive, vazhdimisht kreative, e përkushtuar dhe konstruktive ndaj dialogut të lehtësuar nga BE. Sinqerisht nëse duam të fokusohemi në zhvillimin dhe integrimin europian duhet ta lemë pas këtë kapitull të vështirë me Serbinë. Ky kapitull lihet pas me normalizim të plotë, ku natyrisht është Serbia ajo e cila i nënshtrohet një sërë ndryshimeve në mënyrë që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, por edhe të normalizohet ajo vetë si shtet. Unë besoj që normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i ndihmon jo më pak Serbisë sesa Kosovës. Përkundrazi përfiton Serbia sepse normalizohet si shtet”.