Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, thotë se në SPAK po vijnë dosje pafund për grupe kriminale, të cilat presin të hetohen nga organet përkatëse.

Në studion e “Zonë e Lirë” ai tha se ditët e fundit Shqipëria ka kërkuar të çojë gjashtë agjentë hetimi në Hagë, por ata kanë kthyer përgjigjen duke thënë se, kanë vetë dy vende vakante.

Kjo ngutje sipas tij tregon nevojën e madhe që ka sistemi i drejtësisë për të gjetur informacion për personat që janë zbuluar në platformat e komunikimit.

“Janë mbi katër apo pesë grupe që po hetohen njëkohësisht, i patë dosjet që i kishin lënë në çimento, janë pafund dhe po vijnë pa fund. Në Europol në Hagë, ne kemi kërkuar të çojmë  6 agjentë për të gjetur, selektuar dhe për të marrë. Ata kanë thënë se kemi dy poste pune. Po vijnë miliona mesazhe”, tha ai.

Ai tha se në përgjimet e “Sky Ecc” rezulton një person me pushtet të lartë gjyqësor, i cili punon për llogari të bandave në pjesën e veriut të Shqipërisë.

Sipas Karamuços, SPAK vijon hetimet intensive për ta identifikuar se kush fshihet pas këtij pseudonimi, i cili punon për llogari të grupeve kriminale.

“I dyti del po në përgjime “Sky Ecc”. Quhet edhe ai me pseudonimin “Tigri” dhe s’ka lidhje fare me ish-zv.kryeministrin. Ky është funksionarë i lartë i pushtetit gjyqësor, dhe troket në çdo derë të prokurorëve dhe gjyqtarëve për të zgjidhe çështjet të organizatave kriminale në veri të vendit dhe nuk dihet se kush fshihet pas këtij pseudonimi. Është brenda sistemit. Merr urdhrat dhe troket dhe u thotë gjyqtarëve dhe prokurorëve më zgjidhni këtë për llogari të filan bande. Dhe tani SPAK është në sfidë të madhe dhe nuk po e gjen dot”, tha ai.