E keni pyetur ndonjëherë veten se ç’bënin njerëzit përpara se të shpikeshin “selfies”? Nuk keni pse mendoheni gjatë. Përgjigja është shumë e thjeshtë: lejonin të tjerët t’i fotografonin ashtu siç ishin pa menduar për këndin dhe dritën e duhur, rregullimet e minutës së fundit apo sfondin nga pas. Megjithatë kohët kanë ndryshuar dhe në realitetin e tanishëm dixhital, fotografia është kthyer në një lloj “pasaporte” e cila shpeshherë flet më shumë se çdo gjë tjetër për ne.

E dini ku mund të bëni fotot dhe videot më cool për Instagram dhe TikTok? Në “Selfie Museum Albania”, atraksionin më të ri në Tiranë, të vendosur në katin e parë të Galeria ETC, strukturën e vetme multidimensionale ku gjeni gjithçka që ju nevojitet.

I ftuar në “Ditë pas dite”, gazetari Eraldo Rexho tregoi se ideja për të krijuar këtë muze i ka ardhur pikërisht në Amerikë e më pas i është kthyer në një qëllim duke vizituar plot 17 të tillë në të gjithë botën.  “Selfie Museum Albania” ose njohur ndryshe si “Muzeu i Instagramit” i bashkohet kësisoj sivëllezërve të tij në Firenze, Amsterdam, Las Vegas apo Dubai, duke ofruar një eksperiencë unike rrethuar nga fondet shumëngjyrëshe, rekuizita nga më futuristet dhe iluzionet e pafundme optike.