SHBA – Vogëlushja 3 muajshe Audrina Cardenas është një e mbijetuar. Ajo erdhi në jetë në 15 tetor të vitit të kaluar me një deformim të rrallë gjenetik të quajtur "ectopia cordis". Një pjesë e zemrës së saj ishte jashtë trupit. Audrina iu nënshtrua një ndërhyrje të sukseshme kirurgjikale në muajin nëntor dhe tashmë fatmirësisht ajo ka lënë spitalin këto ditë për të shkuar për herë të parë në shtëpinë e saj.

Lidhur me ndërhyrjen e komplikuar kirugjikale spitali i fëmijëve në Teksas dha këtë shpjegim: "Një ekip i tërë mjekësh i shpëtuan jetën bebes një muajshe duke realizuar një operacion që zgjati gjashtë orë dhe që konsistoi në krijimin e një hapësire në dërrasën e kraharorit të vogëlushes për të vendosur aty 1/3 pjesë të zemrës që ishte jashtë trupit të fëmijës”.

Ndërkohë nëna e vogëlushes Ashley Cardenas i tha ABCNews.com se ajo kishte dijeni për problemin e fëmijës së saj që kur ishte 16 javëshe shtatzënë.

"Mjekët më dhanë mundësinë që ta abortoja fëmijën ose të vazhdoja shtatzaninë dhe pas lindjes ata do të realizonin ndërhyrjen kirurgjikale që mund t’i shpëtonte jetën”,- tha Ashlye.

Megjithëse ka lënë spitalin, vogëlushja do të vazhdojë të marrë oksigjen artificialisht dhe të ushqehet përmes tubave.

Audrina mban veshur një “mburojë” në ngjyrë rozë të bërë nga mjekët, dhe sipas nënës së saj mbajtja veshur e pajisjes së veçantë është shumë e rëndësishme për vajzën 3 muajshe, pasi sipër zemrës së saj ajo nuk ka asgjë, përveçse lëkurës dhe një muskuli që mjekët ia vunë sipër zemrës. “Nëse nuk ka një gjë të fortë që të mbrojë zemrën e saj ajo mund t’i dëmtohet”,- tha e ëma e vajzës.