Brazil, 11 korrik 2014 – Tashmë që botërori do të luajë vetëm aktin final, mund kthejmë vështrimin pas në kohë për të nxjerrë disa përfundime për disa prej çështjeve më të nxehta në këto 4 javë. Cilat janë ato pika të cilat duhet të na bëjnë të mendohemi qoftë edhe një fraksion sekonde më shumë se një mendim i zakonshëm? Le të hedhim një sy.
Nuk ishte e nevojshme që të ishim dëshmitarë të atij turpërimi në gjysmëfinale për të kuptuar që Brazili ka humbur autoritetin moral. Steriliteti i lojës së Selecaos u duk qartë në ndeshjet e grupit, pasi kjo skuadër ishte një kopje e shëmtuar e asaj të vitit 2002 me yje si Rivaldo, Ronaldo e Ronaldinho, e cila si për ironi, drejtohej gjithashtu nga Scolari. Selecao aktuale përbëhet nga një gjeneratë e varfër lojtarësh dhe është aq cinike sa herë herë ngjan edhe si një skuadër brutale. “Joga Bonito” është bërë një klishe e tmerrshme vetëm në mendjen e sponsorve të mëdhenj që e mbështesin këtë kombëtare.
Futbolli i klubeve mbetet sërish më i lakmuari por edhe më spektakolari. Ai nuk ka pothuajse asnjë lidhje me kombëtaret dhe shembullin më të qartë për këtë e jep Premier League. Këtë ligj të pashkruar mund ta trondisë vetëm Lionel Messi, i cili nëse fiton me Argjentinën, atëherë mund të eklipsojë pjesërisht sukseset me Barcelonën. Gjithsesi, skuadrat kombëtare kanë një avantazh më shumë, fuqinë për të evokuar përgjigjen universale ndaj popullit.
Vetëm me pasion ndeshjet e futbollit nuk mund të fitohen. Debati gati gati shekullor nëse është pasioni apo puna që e bën një skuadër fituese, nuk ka vlerë. Çdo komponent është projeksion i personalitetit të lojtarëve. Pa pasion nuk do të mund të shikoni asnjëherë performancë si ajo e Suarez kundër Anglisë, por pa përgatitje taktike nuk do të kishim një Costa Rica kaq të suksesshme. Ai që zbulon të mesmen e artë është fituesi i vërtetë.
Argjentina dhe Holanda luajtën një gjysmëfinale anonime, duke humbur disi gjurmët e futbollit të bukur…të atij futbolli që në Europë jemi mësuar ta shikojmë nga Barcelona apo Borussia Dortmund. Këtë herë ishin Kolumbia e Kili që e bënë një gjë të tillë. Dy skuadra që nëse do të luanin gjysmëfinalen e Sao Paolos, nuk do t’i kishin vjedhur asgjë askujt. Kundërsulmi vazhdon të funksionojë me sukses madje këtë e tregoi Ancelotti kundër Bayern Muenchen, por sot jetojmë në një kohë kur trajnerët janë të prirur për të imponuar lojën e tyre.
Ky botëror, ofroi gjithashtu një konfirmim tjetër për atë që jemi mësuar të shikojmë prej vitesh…mbivlerësimin e lojtarëve anglezë. Ishulli ka prodhuar përherë lojtarë me standarte të larta për Premier League por çuditërisht jo në nivelin e Kupës së Botës.
Brazili nuk duhej ta organizonte Kupën e Botës. Ky i këtij viti është ndoshta botërori me më shumë ngjyra për shkak të traditës futbollistike në vend por në anën tjetër, u duk qartë se diferencat mes shtresave u thelluan edhe më shumë dhe për këtë një pjesë të fajit e ka edhe botërori. Miliardat e investuara për stadiumet mund të ishin derdhur në spitale e shkolla. Brazili është një vend pa një plan të unifikuar për të nxjerrë vendin nga varfëria, prandaj botërori mund ta kishte evituar luksin e madh të përkthyer në dollarë të shpenzuar në mënyrë marramendëse.
Është e lehtë të mendojmë se dimë gjithçka por ja që nuk dimë sepse trajnerë të mirë ka edhe jashtë Champions League madje edhe jashtë Europës. Disa shembuj? Jorge Luis Pinto, Jose Perkeman apo Jorge Sampaoli. Po ashtu, botërori na mësoi se ka edhe lojtarë që shkëlqejnë jashtë Champions League por marketing agresiv na bën të mos shikojmë qartë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





