TIRANE, 22 mars 2013- Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj nëpërmjet një deklarate për media ka akuzuar sot kryeministrin Sali Berisha se po sulmon median e lirë. Sipas saj, kreut të qeverisë i kanë mbetur edhe 93 ditë për të qeverisur.
“Nga sot Saliut i kanë mbetur edhe 93 ditë qeverisje. Ai dështoi të zhdukë varfërinë, të luftojë korrupsionin e krimin, dështoi të vendosë rendin e ligjin. Si askund tjetër në Europë përvec Bjellorusisë ka dështuar të respektojë edhe lirinë e medias. Me sulmin ndaj Top Channel, po përpiqet të mbysë cdo zë kritik që vjen nga mediat e lira”, tha ajo.
Duke iu referuar rastit të sulmit në media, Leskaj shtoi se në këto 8 vite qeverisje Berisha ka sulmuar përvec Top Channel edhe News 24, Vizion Plus e Gazeta Tema, media këto që sic tha Leskaj, kanë qenë kritike ndaj tij.
“Sali Berisha ka përdorur gjykatën si mashë për ta nxjerrë Top Channel nga mjediset e ‘Shqipëria Sot” duke shkeluar në mënyrë flagrante kontratën me shtetin shqiptar, ky është kulmimi i një sulmi të Sali Berishës për të goditur mediat e lira në vend”, tha Leskaj më tej.
Sipas saj, ndërkohë që nga njëra anë godet mediat kritike, “Për mediat pranë pushtetit krijon favore, jep shuma kolosale për spote qeveritare. Ky abuzim është denoncuar dhe do vazhdojë të denoncohet. Nuk është rastësi që raportet ndërkombëtare e shënjojnë Shqipërinë sot si vend me probleme ndaj lirisë së medias. Ne jemi të vendosur për një ndryshim rrënjësor ashtu sic e meriton publiku shqiptar”, shtoi deputetja e PS.





