Festimet për 100 vjetorin e pavarësisë duket se janë kthyer në temën e fundit të debatit mes dy partive të mëdha. Kryetarja e komisionit të medias dhe arsimit, deputetja socialiste Valentina Leskaj ka theksuar se qeveria nuk ka ende një program të përcaktuar për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas saj, edhe pse na ndajnë pak javë nga data e shpalljes së Pavarësisë, qeveria nuk ka një kalendar. 

“Po vjen 28 nëntori dhe ne nuk kemi një program dhe një buxhet të përcaktuar që duhet të ishin gati 1 vit para, të miratuar nga qeveria, që të mos kishim organizime spontane. Gjithashtu, ka një qasje negative ndaj figurave të pavarësisë dhe po ashtu një qasje gjeografike negative me Vlorën, ku është ngritur flamuri”,- ka deklaruar Leskaj. 

Në të njëjtën kohë ajo theksoi se bashkia e Vlorës po lihet qëllimisht jashtë axhendës zyrtare të qeverisë për festime, e cila në këtë 100-vjetor, po përpiqet të ngrejë figura të caktuara historike dhe të ulë figura të rëndësishme si ajo e Ismail Qemalit.

“Në Vlorë janë bllokuar punimet dhe nuk është vetëm çështja e buxhetit, për të cilën kryetari i bashkisë ka bërë përpjekje maksimale, duke ftuar biznesmenët që të kontribuojnë për festën. Sjellja ndaj Vlorës tregon se 100-vjetori po përpiqet të jetë në qendër të interesave të ditës. Në këtë 100-vjetor përgatitjet janë spontane dhe nuk i ngjajnë aspak organizimeve të mëparshme që janë kryer në 25-vjetor apo në 50-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë”,- ka thënë Leskaj. 

Por ndërsa Partia Socialiste mbajti këtë qëndrim nuk ka munguar edhe reagimi i kryeministrit Berisha, i cili deklaratat e opozitës lidhur me këtë çështje i ka cilësuar si një “qëndrim primitiv”. “Nuk anashkalohet Vlora. Nëse po ulen disa figura, kjo po bëhet pasi po ngrihen disa të tjera, si ajo e Ismail Qemalit”,- thuhet në një reagim për shtyp të qeverisë. Sipas këtij njoftimi, axhenda është ndër më të studiuarat dhe s’përjashton as Vlorën e asnjë qytet tjetër. “Ajo nuk do të ulë figurën e Ismail Qemalit, por do ta ngrejë atë me shtatoren e tij të re”, thuhet në reagim.