Nga BUJAR QESJA

Vazhdoj të shkruaj pa u ndalur, për njerëzit e nderuar të qytetit tim. Pasioni nuk më është shterur dhe forca e fjalës më mbetet si burim i pandalur. Mendimi rrëshqet lehtë dhe ulet mbi sipërfaqen e letrës dhe bëhet njësh me personazhin e shkrimit. Ngas mundimin për t’u çfaqur sa më mirë para lexuesit, e përmbi këtë, për të përfaqësuar sa më mirë nismën e rrëfimit ndaj protogonistit.

Në vitet 80-të isha lidhur me miqësi me tre stomatologë të njohur, që ishin nga shkolla e artë e qytetarisë durrsake. Pirro Qerimi, Haki Bllaca dhe Vangjel Aleksi. Në miqësinë e tyre ndjeja parajsën e kënaqësisë shpirtërore, duke u munduar sadopak të justifikoja qëndrimin me ta. Kulturë, art, logjikë e mënçuri. Një komunikim që përcaktonte thjeshtësine tyre. Humori ngrohej edhe më shumë nga prushi i miqësisë dhe atëhere asnjë nga ne nuk ndalej. Vite të bukura miqësore. Së bashku ndanim lodhjen e punës, duke vallzuar mbi kënaqësinë e një argëtimi origjinal.

Nuk e kemi më Haki Bllacën, Hakiun tonë aq të dashur dhe mentorin tonë më të mirë. Munda të hedhë mendime për Hakiun e paharruar, e tani jam me Pirro Qerimin.

E kam quajtur dekanin e stomatologjisë, absolutisht për të thënë që është më i zoti, apo më i aftë nga moshatarët e tij. Mund ta bëja rektor Hasan Jeron, e për të dalë si dekan apo më lart Mihal Hebën, Fiqiri Deliallisin, apo Vangjel Aleksin. Mund të bëja shefe katedre pak më lart apo më ulët Elsa Mimën, e nuk e di sa mund të vazhdoja kështu. Këto janë emërtime morale, për t’u pozicionuar më mirë me formulimet që më takojnë në vijimësi. Unë nuk ndaj ofiqe. Secili i ka merituar me jetën dhe punën e tij. Në zanatin tonë, njihet vështirësia e vënies së titullit. Mbaj mënd thënien e një kolegu tonë shumë të njohur:

-Më shumë harxhoj kohë për titullin, se sa për shkrimin.

Pas arritjes së këtij mirkuptimi, le të dalim tanimë tek Pirro Qerimi. Kisha bërë një foto me të, kur vitin e kaluar në mos gaboj ishim ftuar nga Bashkim Kadiu në një promovim libri. Më pëlqeu. Pirro ia shtonte lezetin fotos. Më lindi idea për t’iu kushtuar këtij burri simpatik në një narracion të veçantë, ku pamjen ia kanë hijeshuar edhe mustaqet, që të vështrojnë mbi pjesën e sipërme të buzës.

U takuam këto ditë dhe fytyra i qe vrerosur. Është ndarë nga jeta i vëllai Arqile Qerimi, ekonomist si niveli i Pirros stomatolog. Por ishte edhe më i dërrmuar nga humbja edhe i Enkel Qerimit, djalit të Arqilesë, kur nëna e tij dergjet në shtrat. Fat i trishtë, i një burri të fisëm,që në çdo hap të hedhur i buzëqesh të njohurve duke i përshëndetur.

Pirro Qerimi, është lindur në Gjirokastër me 3 qershor të vitit 1936. Dhe në tre qershorin që lamë pas, mbushi plot 85 vjeç. Prandaj mendohet se është stomatologu më jetgjatë në Durrës. Familja Qerimi të çfaqet, si një këshill mjekësh.. E shoqja e Pirros quhet Krisavgji dhe është shumë e njohur si farmaciste, duke qenë ca kohë edhe drejtuese e këtij sektori. Djali i Pirros, Enno është okulist dhe ky jo pak i njohur në Durrës. Bashkshortja e Ennos është alergiologe. Emri i saj është Dorina Qerimi dhe shërben në spitalin e Durrësit. Vajza e Pirros është Monika dhe kjo jetën e ka lidhur me një mjek të njohur. Quhet Arjan Prodani gjinekolog, i biri i të famshmit kirurg Paskal Prodani. Nuk besoj të jem gabuar, teksa e kam quajtur këtë familje si filial të spitalit të Durrësit.

Le të dalim tek Pirro Qerimi, i cili mbeti paksa në hije, nga ky prezantim aspak i shkurtër i familjes së tij, mbushur me mjekë të specialiteteve të ndryshme. Kur bisedon me Pirron, as nuk mund ta mendosh se flet me një 85 vjeçar. Trup mesatar, fizik i lidhur, me hap të shtrirë si të një atleti. Flet lehtë, duke konkuruar fëshfërimën e gjetheve që bien butë në tokë, si dhe duke e shoqëruar me një buzëqeshje, që krahasohet me vesën e mëngjesit të një dite vere.

Rrugë e gjatë e profesionit të tij. Një rrugë që ngjason me ato maloret, ku lodhesh duke ecur, pasi lëviz në shtigje e rrëpira, në tatëpjeta e hone të rrezikshme, pengohesh, rrëzohesh, fërkon duart dhe gjunjët e gjakosur. Një djalosh ëndrrimtar që pasi mbaroi mësimet e para në shkollën “24 maj” dhe ato të mesmet në “16 shtatori”, fiton të drejtën e studimeve për stomatologji në Sofje të Bullgarisë. Gjirokastriti i lindur dhe durrsaku i jetormuar në Durrës Pirro Qerimi, kreu gjashtë vite studimi itensive. Studentët ekselencë, vlerësoheshin në universitetin e Sofjes me diplomë të kuqe. Dhe kjo i takoi Pirros tonë.

Nevojat për këtë specialitet në Shqipëri ishin të mëdha. Aftësitë surprizuese të Pirro Qerimit, i dhanë mundësi të specializohet po në Sofje për radiologji dentare, paradontologji dhe terapi stomatologjike.

Me një veshje tërheqëse dhe me një barsolina mbi krye, 24 vjeçari Pirro Qerimi kthehet në Atdhe, i armatosur deri në dhëmbë me dije, shkencë dhe praktikat e avancuara të stomatologjisë së kohës. Në Lushnje bëri bujo, ku për herë të parë erdhi të punoj një stomatolog dhe të jetë njëkohësisht edhe drejtor i spitalit të qytetit. Sfidat filluan. Kapitujt e vështirësisë së librit të madh dhe të pambaruar të jetës, nisin ashtu siç vinin nga vështirësitë shqiptare të këtij sektori. Me atë qetësinë e zakonshme, që ngjasonte me një anije që lundronte në det të trazuar, Pirro Qerimi i hapi konkurencë vështirësive.

Mangësi sa të duash. Problematikë gjithashtu sa të duash. Gjithçka do të ndërtohej nga e para. Moshë e re, fillim i ri, pengesa të panumurta. Shans për të ishte kolegu dhe miku i mrekullueshëm Haki Bllaca. Edhe Hakiu mbaroi me Pirron për stomatologji në Akademinë Mjeksore në Sofje. Ky binom, do të ishte një forcë lëvizëse në hapat e transformimit të mjeksisë në Durrës dhe veçmas të stomatologjisë.

Emri Pirro të kujton mitologjinë e hershme, diku nga vitet 319 – 272 para erës së re dhe ishte nga gjeneralët më të shquar të asaj kohe. Ishte mbreti i Epirit dhe i Molosisë. Pirro vinte nga fisi ilir i epirotëve. Nuk dua të zbërthej këtë emër legjendë të fitoreve dhe të përfundimit tragjik. Por dëshiroj të paralelizoj me një emër, që duket si më i përshtatshëm për Pirron tonë të këtij shkrimi. Pirro Qerimi mbetet një gjeneral i stomatologjisë në Durrës, duke drejtuar një ushtri të tërë kolegësh idealistë dhe ëndrrimtarë, të cilët donin profesionin dhe sakrifikonin për të, ashtu siç donin edhe Durrësin, qytetin e shpresave dhe të ardhmërisë.

Ardhja në Durrës i 26 vjeçarit Pirro Qerimi bëri bujo. Një djalosh simpatik, i shkolluar në Akademitë e përparuar të kohës, siç ishte Akademia Mjeksore e Sofjes, vinte bastin e jetës në akomodimin e një zanati që kërkonte pasion, dashuri dhe përkushtim. Dhe rruga e gjatë që ngjiti Pirro Qerimi, në lartësitë e këtij profesioni të vështirë, me labirinthe dhe nyje sa të duash, e nxorri faqebardhë. Prandaj edhe ky zotni rrethohet nga respekti i njerëzve, pasi për shumë e shumë dekada u shërbeu atyre me shumë, shumë dashuri. Buzëqeshja e tij ngjason me një trëndafil në livadhin e pafund të luleve, ku aroma e saj ende kundërmon ku dominon era e djersës, lodhjes mundimeve për t’ia dalë.

Një kurth kanonës, iu vërtit si gjarpër për të hedhur kularin në ardhmërinë e tij, ishte “mungesa e vigjilencës” ndaj kolosit të stomatologjisë durrsake Hasan Jeros. Në këtë material ndër fotot ilustruese është edhe ajo me Hasan Jeron, për ta kujtuar këtë burrë të mënçur dhe të aftë. Kam qenë shumë i vogël, kur e kam fiksuar këtë fisnik dhe ku e kishte vëndin e punës, në taracën e klinikës së vjetër dentare. Isha ende i njomë për të kuptuar hallet e këtij burri, që kurrë nuk iu nda performanca befasuese, e lyer me kostumin tërheqës të qytetarisë franceze, ku në kryeqendrën e Francës Paris, mbaroi studimet e larta në mesin e viteve 30-të për stomatologji.

31 vjeçari Qerimi, duhej të ishte “vigjilentë”, ndaj profesorit të njohur me mjekër 55 vjeçarit Hasan Jero. Tmerr! Hasani e kishte pësuar nga shoku i tij i Francës, që siç pohon në kujtimet e veta për Enver Hoxhën “nuk mbaroi kurrë studimet as në Montpelje dhe as në Sorbonë”. Dhe ky kasap, pra Enver Hoxha, kaloi në thertoren e tij shokët e ngushtë, gjirokastritët e tij duke i vrarë dhe duke i prerë si Enver Sazanin, Nedin Kokonën, Andrea Zegën etj. e duke burgosur e shpërfytyruar intelektualë eruditë si Hasan Jero. 24 vite i prangosur me formulimet rutinë dhe bajate të kohës “për agjitacion e propagandë”, pasi e burgosi fillimisht pesë vite, kur Jero ishte 35 vjeç dhe nga 1967 e ridënoi me 19 vite të tjera. Jero i mbylli sytë në Tiranë në vitin 1997, duke lënë pas një emër të ndritur dhe kujtim të çmuar të stomatologjisë durrsake.

Dhe tulla e famshme që i mori jetën Pirros së Epirit, ngjason me tullën politike që regjimi kërkonte të përplaste mbi karrierën dhe ëndërrën e të riut Pirro Qerimi. Respekti ndaj Hasan Jeros nuk ishte për punë të liga, por për profesion, për përfitim në mjeshtri, në artin e të punuarit të dhëmbëve. Dhe “mungesën e vigjilencës” e vuajti duke e lënë Durrësin për pak vite, e për t’u rikthyer më kurajoz dhe më i bindur në drejtësinë dhe korrektesën e tij.

Pirro Qerimi një mburrje e stomatologjisë tonë. Mjek pasionant, por edhe njerëzor, duke krijuar marrdhënie të mrekullueshme me durrsakët. Pirro është vëllai i madh, i familjes së njohur të Harallamb Qerimit, duke ardhur pas tij Arqilea, ekonomist flori, Mihali, që komunikon me një anglishte të përsosur dhe Anastasi otorhinolaringolog i njohur. Që të katër, janë një plus i ndjeshëm për qytetarinë durrsake.

Pirro Qerimi shef i repartit të terapisë, në Klinikën Qendrore të dhëmbëve. Pirro Qerimi përgjegjës i klinikës numër 2. Pirro Qerimi konsulent në drejtorinë e spitalit të Durrësit. Pirro Qerimi themelues i sektorit të indeve të buta. Pirro Qerimi studius dhe hartues i temave dhe analizave shkencore, duke referuar në shumë simpoziume brenda dhe jashtë vëndit. Pirro Qerimi një mjeshtër i qendisjes së dhëmbëve dhe i fjalëve, duke zgjedhur një fjalor të çmuar që e bën tërheqës nga të tjerët.

Pirro Qerimi zotëron katër gjuhë të huaja: bullgarisht, frëngjisht, rusisht dhe italisht. Kjo e ka ndihmuar shumë të zhvilloj hobin e tij për letërsinë dhe të përmëndet edhe në fushën e përkthimeve. Thur edhe vjersha. Ka dell poetik. Dallon edhe në krijimtarinë humoristike. Mrekullia e punës së tij, nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga Presidumi i Kuvendit Popullor, duke i dhënë Pirro Qerimit Urdhërin “Për shërbim të mirë të popullit”, për të ardhur tek titulli “Nderi i Qytetit të Durrësit” dhënë nga Bashkia e Durrësit.

Pirro Qerimi tashmë 85 vjeçar. Kthen kokën pas dhe vështron rrugën që përshkoi. Një jetë e gjatë me peripeci, por e mbushur me angazhimin maksimal të një njeriu që e shikon të suksesshme rrugëtimin e tij. Mund ta krahasojmë me një lokomotivë, që ka tërhequr 85 vagonë, ku kujdesja e makinistit Pirro Qerimi ka qenë e tillë që ky tren të udhëtoj në shina të sigurta, pavarësisht se disa traversa kanë qenë të dëmtuara. Kilometrat ku udhëtoi ky tren, nuk numërohen. Por ajo që numërohet eshtë vetëm një, më kryesorja. Krenaria, kryelartësia, veshja e një kostumi që i bëri veçse nder këtij njeriu, duke i ruajtur si gjënë më të çmuar, që i dha nam e fam në këtë Durrës, që e deshi dhe e don fort djalin e tij.

85 vjeçari Pirro Qerimi ka ende rrugë për të bërë. Lokomotivës së tij të suksesit, do t’i shtohen të tjerë vagonë. Dhe mbi to do të shikojmë që është hedhur një pelerinë gjigande, ku lexohet dukshëm:Pirro Qerimi, pjesë e krenarisë tonë!

Durrës: 23 tetor 2021