Netët e çmendura të të rinjve në Durrës kanë mbërritur në kulmin e tyre. Diskot verore të hapura në zonën e Kallmit, po mbajnë zgjuar mijëra të rinj në këto ditë të nxehta gushti.

Vajzat seksi me fustanet verore, parfumet e shtrenjta, me bizhutë më në modë e gjthçka tjetër dhe djemtë e ardhur nga emigracioni apo qytete të tjera të vendit, madje edhe nga trevat shqipfolëse apo dhe të huaj i kanë stacionet e tyre këto klube verore ku veç argëtimit realizojnë edhe njohje të reja.

DurrësLajm ka qënë tek një prej pubeve Cinco Cavalli ku ka intervistuar frekuentuesit e jetës së natës. Të huajt janë ata që janë surprizuar me jetën e natës në Durrës. Ata kanë mbetur të çuditur e të mrekulluar me organizmet e mëdha që bëhen këtu.

Diskot verore prenotohen menjëherë nga të rinjtë. Nga një mijë deri në 3 mijë të rinj është kapaciteti i tyre.

Në rastet kur këngëtarët janë shumë të dashur për publikun, edhe publiku është tejet i zjarrtë.

Moshat e tjera i kalojnë mbrëmjet kryesisht në hotele dhe në pistat buzë detit ku kapaciteti është më i vogël, dhe këngëtarët kanë në repertorin e tyre muzikë qytetare apo edhe popullore, sipas rastit.

Gjiret e mrekullueshëm të Adriatikut, plazhet masivë e ata të fshehut, çmimet e lira në hotele e në banesa, argëtimi gjatë ditës e gjatë natës, i cili kushton pothuajse shumë më lirë se në çdo qytet tjetër turistik, ka bërë që Durrësi në verë të mbetet një nga qytetet bregdetare më të lakmuara.

Shumë pushues nuk kanë hezituar të vijnë në qytetin e bukur për shumë arsye. Për plazhet e gjatë me rërë, rivierën e mrekullueshme të Kallmit, ujin e kristaltë, historikun e qytetit, komoditetet e hoteleve, ushqimet e freskëta si dhe pa harruar netët ekzaltuese në diskot e pafundme. 

Rrallë ndodh që në një hapësirë të vogël gjeografike të gjenden të tërë këto elementë natyrorë që e shndërrojnë vendin në një parajsë tokësore.

Të kalosh pushimet në qytetin bregdetar është me të vërtetë mahnitëse, pasi Durrësi të ofron të gjitha kushtet dhe resurset e tij të pafundme.

K.H.