Durrsakët synojnë rezultat pozitiv në fushën e Peqinit

Gjatë merkatos së dimrit synohet afrimi i disa elementëve të rinj në ekip

Teuta qëndron në krye të tabelës së klasifikimit duke grumbulluar 19 pikë në tetë ndeshje. Durrsakët në tetë takimet e para kanë korrur 6 fitore një barazim dhe vetëm 1 humbje. "Axurrët” durrsakë të drejtuar nga trajneri Hasan Lika, tashmë ndodhen të vetëm në krye të renditjes. Në javën e 9-të të kampionatit, Teuta do të udhëtojë drejt qytetit të Peqinit ku do të luajë në shtëpinë e këtij të fundit. Ndeshje kundra Peqinit është një ndeshje shumë e vështirë ,ndërsa është vlerësuar si mjaft e rëndësishme për ecurinë e djemve të detit. Trajneri Hasan Lika është shprehur se në kampin durrsak mbizotëron një atmosferë mjaft pozitive, ndërsa thotë se duhet të vijojnë marshimin drejt titullit kampion. Lika e vlerëson në maksimum kundërshtarin, pasi sipas tij peqinasit janë mjaft të rrezikshëm në shtëpinë e tyre.  Ky takim është vlerësuar si takimi më i vështirë në transfertë, që Teuta ka zhvilluar në këto javë të kaluara të kampionatit. Ekipi do të udhëtojë ditën e dielë drej qytetit të Peqinit, ndërsa djemtë do të zbresin në tapetin e gjelbër si kryesues të kampionatit.

Z. Lika, si është atmosfera në ekipin tuaj dhe a kanë  ndikuar pushimet?

Në ekipin e "Teutës" mbizotëron një atmosferë mjaft pozitive dhe shpresoj që të zgjasë deri në fund të kampionatit. Unë kam një eksperiencë shumë të gjatë me ekipin durrsak pasi e kam drejtuar këtë ekip më shumë se 5-6 kampionate dhe për këtë jam krenar. Por ajo që doja të thoja është se gjithmonë në këtë ekip atmosfera ka qenë e tillë. Të gjithë lojtarët kanë marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin dhe kjo është një gjë shumë pozitive për të gjithë. Edhe lojtarët që i janë bashkuar ekipit së fundmi janë përshtatur shumë shpejt. Ekipi "Teuta" është si një familje dhe kam përshtypjen se të gjithë ndihen se janë anëtarë të saj. Për sa i përket pushimeve do të thoja se në të vërtetë nuk kemi bërë pushime, por UEFA gjatë kësaj jave kishte caktur dy data të lira në mënyrë që ekipet kombëtare ti shfrytëzonin ato për të zhvilluar ndeshjet e tyre të play out-it, nga ku janë përcaktuar edhe katër ekipet e tjera që u janë bashkuar ekipeve, të cilat janë kualifikuar për në kampionatin europian që do të zhvillohet në Ukrahinë dhe Poloni. Ndërsa nga disa ekipe kombëtare të tjera këto ditë janë shfrytëzuar për të zhvilluar ndeshje miqësore për të parë gjendjen e tyre. Gjatë fundjavës që kaloi nuk u zhvilluan ndeshjet përkatëse të kampionatit dhe kjo na ndihmoi shumë, pasi na dha kohë për tu përgatitur për ndeshjen e radhës.

Le të ndalemi tek ndeshja e së dielës ku "Teuta" do të luajë ndeshjen e radhës kundër ekipit të Peqinit në fushën e këtij të fundit, si është përgatitur kjo sfidë?

Siç e thashë edhe më lart, kishim një kohë relativisht të gjatë për tu përgatitur për ndeshjen e radhës. Nga ana jonë kjo ndeshje është përgatitur më së miri dhe shpresojmë që të kthehemi nga Peqini me një rezultat pozitiv. Ekipi peqinas është një skuadër që në fushën e vet nuk fal pikë. Pavarësisht se në letër duket një skuadër jo shumë e frikshme, në gjirin e skuadrës ka disa lojtarë shumë të mirë dhe me mjaft eksperiencë që mund të ndëshkojnë në çdo moment. Ne kemi treguar se luajmë mirë si në fushën tonë edhe jashtë saj, ndaj edhe kundër Peqinit nuk do të ndikohemi nga kundërshtari, por do të zhvillojmë lojën tonë. Ne jemi kryesuesit e kampionatit ndaj në Peqin do të shkojmë si të tillë. Qëndrimi në krye të kampionatit për javë të tëra ka ndikuar shumë tek lojtarët. Ata tani kanë më shumë besim në vetvete dhe luajnë më lirshëm dhe në shumë raste kjo është pozitive. Pavarësisht se ekipi i Peqinit ndodhet në vendet e fundit të tabelës së klasifikimit në fushën e vet ka një bilanc tepër pozitiv. Ndaj nëse duam të dalim me një rezultat pozitiv duhet të luajmë me shumë kujdes.

Z. Lika, ju e keni drejtuar ekipin e "Teutës" disa herë dhe e njihni shumë mirë këtë skuadër, pse kjo "Teutë" gjatë këtij sezoni është shfaqur me dy fytyra, tjetër në kampionat dhe tjetër në kupë?

Është e vërtetë që në ndeshjet në kampionat ekipi reagon në një tjetër mënyrë, por nuk do të thotë se i nënvlerësojmë ndeshjet e kupës. Ne do të luftojmë për t’i marrë të dyja trofetë. Për sa i përket kupës ne kemi zhvilluar dy takime dhe kemi një pikë, ndërsa përpara kemi disa ndeshje për të zhvilluar dhe i kemi të gjitha mundësitë për ty kualifikuar për në turnin tjetër. Për këtë kam shumë besim, pasi ndeshjet e vështira i kemi brenda në fushën tonë. Ndërsa për sa i përket kampionatit ne jemi në rrugën e duhur. Shpresoj që ekipi ynë të shpallet kampion i dimrit dhe më pas të vazhdojë rrugën drejt trofeut për tu shpallur kampion i Shqipërisë. Ndeshjet e vështira "Teuta" i ka zhvilluar jashtë fushës së saj, në disa raste ka marrë pikë dhe nëse kjo do të përsëritet edhe në ndeshjen e radhës, rruga për titull do të bëhet më e lehtë. Ndoshta është shumë herët për të folur për titullin kampion, por unë kam besim tek skuadra ime.

Teuta me meritë është në krye të kampionatit, por nuk kemi mbërritur as në gjysmën e tij, a mendoni se kjo skuadër ka kualitetin e duhur për të vazhduar rrugën dhe ta përfundojë atë ashtu siç e ka nisur?

Keni të drejtë kjo është një pyetje me vend. Shikoni, në gjirin e skuadrës ka lojtarë të cilët janë ndër më të mirët e kampionatit, si dhe disa të tjerë që dalëngadalë po fitojnë eksperiencën e duhur dhe po bëhen mjaft të rëndësishëm për skuadrën. Jemi në krye të kampionatit por siç e thatë edhe ju, ai është shumë i gjatë dhe ka surpriza që në disa raste janë të pakëndshme. Por ne duhet të kemi shumë besim në vetvete. Gjatë merkatos së dimrit kemi menduar që ta forcojmë ekipin me disa elemente të rinj, të cilët do të na ndihmojnë për të realizuar planet tona. Kemi pikasur disa lojtarë të cilët kanë një eksperiencë shumë të madhe në kampionatin shqiptar. Së shpejti në skuadër do të kthehen disa lojtarë mjaft të rëndësishëm, të cilët janë të dëmtuar. Skuadra jonë ka treguar se është në një formë mjaft të mirë. Ajo që do të kërkoja është të ruajmë këtë formë që po kalojmë deri në fund të kampionatit.     

Z. Lika, ju vetë si trainer i skuadrës së “Teutës” si e keni vlerësuar këtë takim?

Të them të drejtën unë e kam vlerësuar si një ndër takimet më të vështira, e kam vlerësuar kështu se e njoh shumë mirë kundërshtarin, që nuk fal në fushën e vetë. Nga ana tjetër jam i frikësuar, sepse ne do të udhëtojmë drejt qytetit të Peqinit me shumë mungesa. Kemi disa lojtarë të cilët janë dëmtuar, por kemi edhe të pezulluar për shkak të kartonave, ndërsa disa të tjerë siç dihet kanë luajtur nëpër ekipet kombëtare dhe janë të lodhur. Por megjithatë ne nuk do të lejojmë që peqinasit të dalin në lojën e tyre, pasi mendoj se do ta kemi më të vështirë që të dalim me pikë nga stadiumi i tyre. Ne kemi rreth dy javë që përgatitemi për këtë ndeshje dhe do të doja që djersa e derdhur dhe puna të mos na shkonte dëm. Me të vërtetë që në ndeshjen kundër Peqinit neve do të na mungojnë disa lojtarë falë kontributit të të cilëve ne ndodhemi në krye të kampionatit, por do të fitojmë disa të tjerë, si Mancaku dhe Stafa të cilët janë ndër lojtarët më të mirë në qarkullim në kampionatin shqiptar të futbollit. Gjatë këtyre ditëve kanë treguar se loja e tyre ka ardhur në rritje dhe mua si trajner më bën të ndjehem mirë dhe më i sigurt. Shpresoj që djemtë të jenë në një ditë të mirë dhe të kthehemi faqebardhë nga Peqini.