KOSOVE, 08 mars 2013 – Lirohet nga paraburgimi deputeti i Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj. Lajmi është bërë i ditur sot pasdite nga avokati i tij mbrojtës Tomë Gashi. Ai ka konfirmuar për Radio Evropa e Lirë se sot është bërë lirimi i Limajt nga paraburgimi për ta zëvendësuar atë me arrest shtëpiak deri më 24 prill.

“Fatmir Limaj është liruar nga paraburgimi duke e zëvendësuar me arrest shtëpiak i cili do të zgjas deri më 24 prill. Kaq mund t’ju them deri më tani”,- ka thënë Gashi për REL. Ky vendim është marrë nga Gjykata Supreme pas ankesës së avokatit Gashi.

Gashi nuk ka dashur të komentojë më shumë duke thënë se detaje të tjera lidhur me këtë rast mund të publikohen më vonë. Fatmir Limaj, ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit të kaluar. Ai akuzohet për krime lufte, akuzë kjo e ngritur nga Gjykata Supreme e Kosovës.