SHKODËR, 30 mars 2013 – Edhe një specie e re e panjohur kërmijsh në liqenin e Shkodrës, lloj endemik (që jeton vetëm këtu).
Revista e specializuar për lajme shkencore “Science Codex”, referuar “ZooKeys” njofton seshkencëtarët Vladimir Pesiç nga Universiteti i Malit të Zi dhe Peter Glöer nga Laboratori kërkimor për Larmi Biologjike (Biodiversity Research Laboratory) në Hetlingen të Gjermanisë kanë zbuluar kohët e fundit një specie të re kërmilli, Karucia sublacustrina, në liqenin antik të Shkodrës, në kufirin midis Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Ka marrë emrin e një vendbanimi të vogël malazez buzë liqenit, Karuc.
Është vëzhguar dhe në pika të tjera të liqenit brenda Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Shkrimi i autorëve ka mbërritur në revistën “ZooKeys” më 28 nëntor 2012, është miratuar më 15 mars 2013 dhe u botuar më 28 mars 2013; nga kjo datë u fut në qarkullim ndërkombëtar në kronikat shkencore popullarizuese.
Gastropoda, që më tepër zakonisht njihen si kërmij dhe butakë, janë një grup i madh kafshësh që përfshihen në Mollusca phylum.
Speciet e gastropоdeve janë jashtëzakonisht të larmishme në forma dhe madhësi të ndryshme, duke filluar nga ato mikroskopike deri te të mëdhatë.
Mendohet se aktualisht liqenin e Shkodrës, më i madh në gadishullin Ballkanik, e popullojnë rreth 50 lloje të kërmijsh.
Lumi i Bunës lidh liqenin me detin Adriatik, kurse lumi i Drinit lidhet me liqenin e Ohrit.
“Liqenet antike janë ndër ekosistemet më të rrezikuara dhe të kërcënuara, ndërkaq fauna e tyre është shpesh nën presion antropogjen të skajshëm.
“Shkalla e vogël e shumë specieve endemike që jetojnë në sistemin e liqenit të Shkodrës, si dhe presioni njerëzor gjithnjë në rritje, bëjnë që fauna të jetë para një rreziku të lartë.
“Kjo bëhet edhe më e rëndësishme po të kihen parasysh ndotjen, eutrofikimin që vazhdojnë ende, si dhe aktivitetet për shfrytëzimin e rërës dhe zhavorrit në liqen dhe pellgun e tij.
“Prandaj, ka rëndësi të dorës së parë që banorët përreth liqeni të marrin njohuri për ruajtjen e mbrojtjen e duhur dhe efikase”, thotë autori kryesor i zbulimit Vladimir Pešić.
Këto rrethana dhe rënia e raportuar në larminë biologjike të gastropodit endemik kërkojnë përpjekje të mëdha për të shpëtuar këtë ekosistem sensitiv të liqenit. Lista e Kuqe IUCN-së (The International Union for Conservation of Nature) e Specieve të Kërcënuara përfshin 21 specie endemike nga pellgu i liqenit të Shkodrës.
Gjashtë prej tyre janë vlerësuar se ndodhen në rrezik kritik dhe nëntë janë listuar si rrezikuara.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





