Trajneri i Kombëtares, Sylvinho doli sot në një konferencë për shtyp, ku foli mbi të gjitha për listën e lojtarëve që zgjodhi të merrte me vete gjatë ndeshjeve të afërta.

Gjatë fjalës së tij, Sylvinho sqaroi se kombëtarja duhet të provojë sa më shumë lojtarë në këto momente.

“Sa i përket zgjedhjeve në sulm është e vërtetë që ka shumë dhimbje koke për një trajner, por një dhimbje koke që është krejt normale dhe diçka krejt e pranueshme për mua. Është diçka që unë e kam marrë parasysh. Këtë herë nuk do të jenë Daku, Muja dhe Gjasula. Me ne në këto miqësore janë lojtarë shumë të rëndësishëm, patjetër që i kemi në konsideratë dhe janë në planet tona. Ne duhet të provojmë sa më shumë lojtarë në këtë moment.

Lojtarët që ju përmendët janë të rëndësishëm, i vlerësojmë, i kemi në planet tona, por nuk mund të marrim dot 30 lojtarë me vete për këto dy ndeshje, duhet tu japim mundësi dhe të tjerëve t’i vëzhgojmë nga afër se çfarë janë të aftë të bëjnë. Kemi Manajn që unë e kam për herë të parë në kombëtare. Kemi Brojën që vjen për herë të dytë, pasi për herë të parë u detyrua të largohej i dëmtuar. Ndërkohë që kemi marrë dhe Arbër Hoxhën që është lojtar mjaft interesant. Është një lojtar që luan në të majtë por këmbë të preferuar ka të djathtën. Do t’i vëzhgojmë të gjithë”, u shpreh Silvinjo.

Ai u shpreh se kombëtarja i ka dyert e hapura për të gjithë, si për ata që vijnë për herë të parë apo për ata që rikthehen sërish.

”Pra raporti që kanë lojtarët në dhomat e zhveshjes është shumë i mirë dhe nuk jam i shqetësuar në këtë aspekt. Nuk kam aspak frikë për efektin që mund të kenë hyrjet e reja, pra lojtarëve që vijnë për herë të parë apo ata që rikthehen. Ata e dinë mirë që një kombëtare e ka gjithmonë derën e hapur, nuk është si një klub që ka 24-25 lojtarë.

Kemi rastin e Hoxhës që e ndjekim prej tre muajsh. E kemi vëzhguar. Ndërkohë, ashtu si Hoxha kemi shumë lojtarë të tjerë që i vëzhgojmë, i monitorojmë rregullisht. Ekipi është gjithmonë me derën hapur për lojtarët e rinj, qoftë për rikthimet dhe të gjithë janë të ndërgjegjshëm për këtë”, tha ai.