Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer më së miri ekipit të Teutës. Kjo, pasi përveçse ka pasur mundësinë të përgatitet më së miri sa i përket rritjes së formës fizike, ka dhe harmoninë në favor. Sulmuesi i bluve, Lorenco Vila, ka analizuar gjendjen e ekipit, ndërsa ka shprehur edhe synimet për sfidën e radhës, të cilën do ta zhvillojnë ndaj Vllaznisë.

Lorenco, sa i ka shërbyer “pauza” e kampionatit Teutës?

Gjatë kësaj periudhe jemi munduar që të bëjmë një përgatitje sa më të mirë, për të qenë në lartësinë e duhur për ndeshjen kundër Vllaznisë. Lojtarët janë të karikuar dhe të motivuar për fitore, çka është ajo që ne na intereson. Do të luajmë për 3 pikë. Plus luajmë në fushën tonë, pasi është rezultati që na shkon më shumë për shtat.

Është vendimtare përballja ndaj Vllaznisë?

Është një ndeshje specifike, por jo vendimtare për ecurinë në kampionat. Është një kundërshtar direkt dhe një fitore do të na afronte edhe më shumë me objektivin, pasi diferenca do të shkurtohej. Pres një ndeshje të vështirë sepse Vllaznia ka një ekip të mirë, me elementë cilësorë. Gjithsesi, ne nuk kemi rrugë tjetër përveç fitores sepse ndryshe rrezikojmë shumë.

Jeni të kënaqur edhe me një pikë apo do të synoni me çdo kusht fitoren?

Ne kërkojmë maksimumin, jemi të vetëdijshëm për vështirësinë, por një ekip që ka kërkesa të mëdha për të arritur sukses, duhet të kalojë shumë vështirësi. Do të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë ndaj Vllaznisë.

Keni një kalendar të vështirë: me Vllazninë, Kastriotin dhe Egnatian, dy të fundit në transfertë. Me sa pikë do të ishit të kënaqur të dilnit?

Nuk mendoj asnjëherë me plane afatgjata. Do të doja që t’i fitonim të gjitha ndeshjet dhe kjo është më se normale. Megjithëse do të duhet t’i bëjmë planet ndeshje pas ndeshjeje. Duhet të marrim më të mirën në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Normalisht, nëse do të fitonim kundër Vllaznisë, do të na rritej akoma më shumë kërkesa në ekip.

Ndeshjet në vijim janë delikate. A i përballon Teuta?

Për ne nuk ka rëndësi kush është përballë, ajo që vlen është që të futemi në çdo ndeshje për të marrë pikët e plota. Në këtë sfidë duhet të tregojmë fytyrën e vërtetë të Teutës, atë që presin të shohin të gjithë dhe ekipi është përgatitur për të treguar maksimumin e vet, për të dhënë 100%.