Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbajë zgjedhjet për kryetarin e partisë më 6 nëntor 2016-të, ndërsa në garë me Ilir Metën do të jetë edhe kryetari i LSI-së për Tiranën, profesori Shezai Rrokaj.

Vendimi u mor sot në mbledhjen e kryesisë së LSI-së, siç bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i LSI-se, Luan Rama.

“Në mbledhjen e sotme u diskutua për fushatën e zgjedhjeve për kryetarin e LSI, si dhe modalitetet e konventës kombëtare zgjedhore të LSI. U vendos që zgjedhjet për kryetar të mbahen në gjithë territori ditën e dielë më 6 nëntor 2016-të. Këto zgjedhje do mbahen me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të LSI duke respektuar atë që është një vlerë e konsoliduar, respektimi i parimit një anëtar 1 vote. Deri më 30 shtator presim regjistrimin e kandidaturave”,- tha ai.

Por duket se gara do jetë e hapur edhe për të tjerë emra, të cilët do të duhet të regjistrohen deri më 30 shtator.

“Kush do që do të garojë për kreun e LSI duhet të paraqesë dokumentacionin dhe platformën e tij para strukturave të LSI”,- shtoi Rama.