Kur je fëmijë pasioni për të krijuar koleksione të ndryshme është shumë i fortë, sidomos tek djemtë, pasi kanë me se t’u mburren më pas bashkëmoshatarëve të tyre. Por me kalimin e viteve, ky pasion në shumë prej nesh nis të zbehet, sepse zbulojmë pasione të reja të cilave u dedikojmë kohën tonë. Veçse kjo gjë nuk ndodh me të gjithë.

Disa, pavarësisht se janë të paktë në numër, nga kjo shtysë e hershme e fëmijërisë nxiten për të pasuruar koleksionet e tyre, për të grumbulluar objekte apo sende nga më të ndryshmet. Zakonisht koleksionet e fëmijërisë nuk kanë shumë vlerë monetare, por me kalimin e viteve, me pasurimin dhe shtimin e objekteve ai nis të bëhet gjithnjë e më i çmuar, në radhë të parë për krijuesin e tij, ai që i ka dedikuar shumë orë, ditë e vite mbledhjes dhe katalogimit të koleksionit. S

humëkush që e njeh Luan Jaupin, punonjësin e arkivit të teatrit “Aleksandër Moisiu” e mban mend gjithnjë me një aparat fotografik në dorë, gjithmonë i gatshëm për të fiksuar në celuloid momente të rëndësishme nga jeta artistike e jo vetëm e qytetit të Durrësit. Nëse do të kishte krijuar një koleksion të madh fotografish, kjo gjë nuk do të përbënte habi për askënd. Por kur mëson se ky burrë afër të gjashtëdhjetave ka krijuar një koleksion prej më se 10 mijë objektesh nga më të ndryshmet surprizohesh vërtet.

Një dhomë e tërë e shtëpisë së tij i është rezervuar pikërisht këtyre objekteve, që kanë veshur të gjitha faqet e murit. Të sistemuar në rafte deri në tavan ato rrinë aty të gjithë bashkë, të ndarë sipas llojeve, duke krijuar një harmoni mbresëlënëse. Siç tregon vetë Jaupi,- “ky koleksion fillon që në fëmijërinë time. Atë kohë unë koleksionoja pulla poste, që ishin gjërat më të rralla për ne”.

Objektet e rralla

Mes morisë së aparateve fotografikë, pullave të postës, opingave të lëkurës nga të gjitha trevat e vendit, punimeve të artizanatit, orëve, minipavijonit të luftës etj., Luani veçon një kopje të Abetares së parë të gjuhës shqipe të Kostandin Kristoforidhit e shtypur në vitin e largët 1872, në Kostandinopojë.

Kjo abetare e parë e gjuhës shqipe, dëshmi e përpjekjeve të patriotëve shqiptarë për t’i mësuar popullit të shkruante e lexonte shqip është një nga objektet më të çmuara për Luanin. “Abetare skip”, shkruhet në kopertinën e librit 30 faqësh, ndërkohë që në faqen e brendshme dallohet mjaft qartë viti i botimit. Megjithëse libri i është kërkuar nga historianë e studiues, Jaupi është i vendosur të mos ndahet nga kjo abetare me mjaft vlera.

Ndërkohë, një tjetër send me mjaft vlerë për Jaupin është një pllakë e vjetër gramafoni ku gjendet i regjistruar zëri i këngëtares së mirënjohur shqiptare Zyliha Miloti. Për të pasur mundësi ta dëgjojë atë zë të mrekullueshëm, Jaupi ka ruajtur një gramafon të vjetër rus, i cili është në gjendje mjaft të mirë funksionale. E për të mbetur tek muzika, ai tregon një kitarë, që i përkiste të madhes Vaçe Zela, kitarë e blerë në Kinë e që këngëtarja e njohur ia kishte dhuruar të atit të Luanit.

Pranë kitarës së Vaçes, qëndron ajo e një tjetër figure mjaft të njohur sidomos për durrsakët, aktorit Nikolin Xhoja. Luani ndihet krenar që i zotëron këto sende me vlerë, jo aq monetare, sesa historike e artistike.

Koleksioni

Mbi hyrjen e dhomës që shërben vetëm si muze janë të vendosura një sasi e pafund opingash lëkure të të gjitha formave dhe nga të gjitha krahinave të vendit. Shumë pranë tyre është sistemuar një minipavion lufte që përfshin shpata të shumta e armë të vjetra, një pjesë të të cilave Jaupi i ka trashëguar nga gjyshi i tij që ka qenë ushtarak, ish oficer i mbretit Zog, ndërkohë që pjesën tjetër i ka mbledhur vetë.

Një vend të rëndësishëm në koleksion zënë dhe orët numri i të cilave shkon në mbi 300. Ora tavoline, qostekë, ora dore, gjithçka mund të gjesh në raftin ku qëndrojnë të ekspozuara këto matëse të kohës. I përkasin viteve të ndryshme, ndërkohë që markat dhe vendet e prodhimit janë shumë të larmishme. Koleksionimi i orëve i ka kushtuar jo pak Luanit në aspektin financiar, por ai nuk është penduar, madje ndihet i kënaqur kur i sheh ashtu të sistemuara së bashku në një raft të veçantë.

 

Mes morisë së aparateve fotografikë, pullave të postës, opingave të lëkurës nga të gjitha trevat e vendit, punimeve të artizanatit, orëve, minipavijonit të luftës etj., Luani veçon një kopje të Abetares së parë të gjuhës shqipe të Kostandin Kristoforidhit e shtypur në vitin e largët 1872, në Kostandinopojë. Një kitarë e Vaçe Zelës dhe Nikolin Xhojës, një pllakë gramafoni me zërin e së madhes Luçie Miloti apo koralet e Madagaskarit e Kinës jugore ndodhen mes morisë së objekteve të dhomës mini-muze

Duke shëtitur në stendat e minimuzeut të Jaupit, syri të ndalet dhe tek një numër i konsiderueshëm radiosh të vjetra, që menjëherë të risjellin në kujtesë, se ishin pikërisht këto pajisje që u garantonin në mënyrë virtuale shqiptarëve një lidhje të kahershme me perëndimin. Me to dëgjoheshin fshehurazi stacionet e huaja dhe prandaj Jaupi ka grumbulluar shumë prej tyre për t’i pasur kujtim nga ajo kohë plot kufizime.

Pasioni i vjetër, fotografia

Ndërsa pullat e postës nisi t’i koleksiononte që i vogël për t’u krenuar para shokëve, lidhja e tij e fortë me profesionin e fotografit do të lindte pas kthimit të të atit nga një udhëtim në Bashkimin Sovjetik. I ati i Luanit, ishte kapiten anijeje dhe në një nga udhëtimet e gjata që kryente i solli të birit si dhuratë një aparat fotografik. Babait të tij ndoshta nuk do t’i shkonte në mendje se me këtë dhuratë ai do të vendoste përfundimisht profesionin e të birit në jetë.

“Në atë kohë im atë kishte ardhur nga Bashkimi Sovjetik dhe kishte sjellë me vete një aparat fotografik, me të cilin fillova të merresha që i vogël. Ky pasion më ka shoqëruar deri më sot kur unë vazhdoj ta ushtroj ende këtë profesion”,- rrëfen Luani. Që nga mosha 7 vjeç, ai nuk është ndarë më nga aparati. Në koleksionin e tij janë përfshirë një numër i madh aparatësh fotografikë (plot 43 të tillë) të markave të ndryshme si “Pentagon”, “Pentaks”, “Nikon”, “Agfa” etj. Ndërkohë, krahas fotove që u ka shkrepur vetë gjatë viteve personaliteteve të të gjitha fushave, që kanë vizituar Durrësin, ai ruan shumë pamje të vjetra të Durrësit, foto të cilat janë një dokumentacion i pasur historik per çdo studiues shkencor.

Luani ruan rreth 108 të tilla, të papërsëritshme në llojin e tyre, pasi aty ka nga shkrepjet e Marubit të madh e deri tek ato të udhëtarëve italianë, austriakë, anglezë, gjermanë etj. Ai zotëron gjithashtu edhe një sasi të madhe filmash ende të pazhvilluar me pamje të Durrësit si dhe të vendeve të tjera.

Në një kënd të veçantë ai ka vendosur një sasi të konsiderueshme të fotove ku ka dalë vetë në shoqërinë e personaliteteve të ndryshme vendase e të huaja si p.sh. fotot me aktorët e mëdhenj, Lazër Filipi, Kadri Rroshi, Pitkinin e famshëm, apo me diplomatë të huaj si Mariza Lino e Paolo Foresti etj.

Duke parë pasionin e madh të të birit për të koleksionuar objekte të ndryshme i ati i tij nuk nguroi të kontribuonte për ta pasuruar koleksionin me gjëra të rralla. Ai i solli nga udhëtimet e tij të gjata një numër të madh koralesh të rralla, të cilat të shoqërojnë ngado në dhomën e kthyer në mini-muze.

Ato janë marrë prej brigjeve të Madagaskarit, Kinës jugore e deri në Kubë dhe ndodhen prej vitesh mes relikeve të tjera. Në kujtim të profesionit të babait të tij, Luani ruan në koleksionin e tij dhe një spirancë detare shumë të vjetër me 4 çengelë, e cila duhet t’i përkasë velierave të shekujve XVIII-XIX-të.

Pasion që do të vazhdojë

Dashuria për ta shtuar koleksionin nuk shuhet asnjëherë tek Luani. Ndërsa numëron me mijëra pulla poste (dashuria e tij e vjetër) ai thotë se nuk zbaton ndonjë kriter për mbledhjen e objekteve, pasi ato janë nga më të larmishmet. Mjafton që objekti të jetë interesant, të ketë një histori të veçantë dhe ai është i gatshëm ta shtojë mes të tjerëve. Për këtë arsye koleksioni i tij është kaq i larmishëm.

Jaupi është mjaft i lidhur me koleksionin dhe nuk ka dashur të ndahet prej tij edhe gjatë kohërave, kur është përballur me vështirësi ekonomike. Ka menduar t’ua lërë trashëgim dy djemve gjithë këtë punë të madhe rreth 50 vjeçare, të cilës i është përkushtuar me mjaft pasion.