Prej kohësh përfiltet se Luana Vjollca nuk do të jetë më në Top Channel. Lajmet nisën të qarkullonin kur u konfirmua se drejtuesja e Big Brother VIP do të jetë Arbana Osmani dhe jo Luana, e cila ishte një nga emrat që lakohej si moderatore e mundshme. Po ashtu, fakti që reklama e “Shiko kush Luan” nuk kishte filluar të jepej ashtu si çdo fillim sezoni, i nxiti edhe më shumë lajmet për largimin e Luanës nga televizioni ku ka punuar për 15 vjet.
Më në fund, ka qenë vetë moderatorja e cila ka konfirmuar largimin.
“Ndiej për detyrë të ndaj me ju publiku im, ju që keni qenë pjesë e rrugëtimit tim televiziv, […] duke marrë këtë konfirmim kaq të madh, që ju kam në krahë në çdo hap, më ka lehtësuar peshën e vendimeve ndoshta edhe pa dëshirën e plotë, por për shkak të rrethanave dhe arsyeve madhore, për të cilat nuk do të doja të flisja, ashtu siç kam zgjedhur përherë.
Nga ky sezon nuk gjendem më në logon e Top Channel (i cili do të mbetet përherë shtëpia ime, ku u rrita dhe u zhvillova për 15 vite). Prandaj, si rrjedhojë, këtë sezon të shtunën mbrëma nuk do ta ndajmë bashkë duke luajtur, qeshur e argëtuar me ‘Shiko kush Luan’.
Tani prioriteti im është një projekt personal, i cili më shumë se gjithçka tjetër është zëri im i brendshëm, i cili dua fort të shërbejë edhe si zëri i secilit prej jush, për të tejkaluar çdo sfidë të jetës. #Thuaje”, -ka shkruar Luana.