Autoriteti Mbikëqyrës i Financave ka thënë ka kërkuar kujdes të shtuar ndaj shoqërive administruese të fondeve të investimeve.

Ata thonë se si pasojë e luhatshmërive në tregjet ndërkombëtare, si ndikim i luftës në Ukrainë, është kërkuar nga sipërmarrjet e investimeve kolektive që të vlerësohen masat e marra të shtetit dhe të shtohen informacionet javore për shlyerjet neto.

Njoftimi i AMF:

Nisur nga luhatshmëritë në tregjet ndërkombëtare të titujve, si pasojë e efekteve të konfliktit Rusi-Ukrainë, ndikimin në tregun vendas të ndryshimit të normave të interesit, si pasojë e vendimit të Bankës së Shqipërisë për të rritur me 0.5% normën bazë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar në mbledhjen e fundit të Bordit një udhëzim për shoqëritë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive.

Në udhëzim kërkohet kujdes i shtuar dhe marrja e disa masave nga ana e këtyre shoqërive që administrojnë fondet e investimeve. Më konkretisht, në udhëzimin e miratuar nga Bordi i AMF ndërsa vlerësohen masat e marra nga shoqëritë administruese për administrimin e portofoleve dhe rrezikut, rekomandohet që këto shoqëri të rrisin frekuencën e raportimit në Autoritet, duke dërguar informacion javor për shlyerjet neto, raportim mujor për treguesin e likuiditetit, të realizojnë një rivlerësim të të nivelit të treguesit sintetik të përfitimit dhe rrezikut dhe raportimin e tij menjëherë në Autoritet përmes përditësimit të dokumentit me informacionin kryesor për investitorët.

Gjithashtu në udhëzimin e miratuar nga Bordi i Autoritetit u kërkohet shoqërive të raportojnë në Autoritet rezultatet e stress-testeve për fundin e muajit mars 2022, të kryera me qasje më konservatore sesa flukset dalëse të muajve të mëparshëm, të tregojnë të kujdes të shtuar në lidhje me nivelin e luhatshmërisë së portofolit dhe nivelin e likuiditetit të Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive. Shoqëritë administruese duhet të marrin gjithashtu në konsideratë përputhshmërinë me sanksionet e vendosura nga shteti shqiptar, në aktivitetin për administrimin e SIK.
Në fund të udhëzimit, Autoriteti u kërkon auditorëve dhe organeve të brendshme të kontrollit të shoqërive administruese t’i kushtojnë vëmendje të veçantë çështjeve që ndikohen nga kjo situatë, si pjesë e veprimtarisë së tyre audituese për marrëdhëniet financiare.
Tregu i sipërmarrjeve të investimeve kolektive rezulton në vlerë asetesh të jetë i dyti më i madh në vend, pas atij bankar. Totali i aseteve neto të këtij tregu në fund të vitit 2021 arriti në 81.9 miliardë lekë, me një rritje prej 21.5% krahasuar me vitin 2020, rritje e ardhur kryesisht si pasojë e zgjerimit të aseteve neto të fondeve të investimit me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike (edhe për shkak të hyrjes në treg të fondeve të reja), si edhe fillimit të aktivitetit të dy fondeve alternative të investimit. Asetet neto të fondeve alternative të investimit arrijnë në 4.2 miliardë lekë, ndërsa pjesa tjetër prej 77.7 miliardë lekë u takon fondeve të investimit me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike. Ndërsa numri i anëtarëve në tregun e fondeve të investimit me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike arriti në 40,055 në fund të vitit 2021, me një rritje prej 22.7%.