2 gusht 2015 – Kanë nisur në Pitesti të Rumanisë garat e Kampionatit Ballkanik për të rritur në atletikë në edicionin e 74-t të tij, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria me ekip të plotë (femra dhe meshkuj). Nuk mund të ndodhte ndryshe edhe në këtë pjesëmarrje ndërkombëtare.

“Mbretëresha e Sportit” është Luiza Gega, e cila shkëlqeu në garën e 800 metrave, duke u nderuar me medaljen e argjendtë. Gega konkurroi në baterinë A, mes 7 atleteve nga Ballkani dhe realizoi kohën e përgjithshme 2’03″45, e cila e pozicionoi po të dytën në renditjen e përgjithshme në përfundim të dy baterive (14 atlete në total).

Medaljen e artë e fitoi atletja rumune Florina Pierdevara me kohën 2:03.14, ndërsa e bronzta shkoi po për atleten vendase Roksana Nunu me kohën 2:07.25. Përpos medaljes së argjendtë, Luiza Gega do të përfitojë edhe premion prej 4000 eurosh të vendosur nga Federata Rumune e Atletikës. Ndryshe nga Gega që rikonfirmohet si elitë e atletikës botërore, rezultatet e atletëve të tjerë shqiptarë kanë qenë zhgënjyese duke mos iu ndarë asnjëri prej tyre fundit të tabelës.

Taulant Stërmasi trajneri i Kombëtares dhe nënkampiones së Ballkanit u shpreh: “Ishim thjesht për një garë testuese. Ne vazhdojmë stërvitjen me intensitet të plotë për Kampionatin Botëror dhe dëshiroja të bënim një test. Sigurisht pa dëshirën e Luizës për të bërë garë këtu, por doja që testin ta realizoja në garën më të afërt, e cila korrespondonte me Ballkaniadën”, u shpreh i mirënjohuri i trajningut, Stërmasi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/