Sulmuesi brazilian i Real Madridit, Vinicius Jr., është përballur me thirrje raciste gjatë humbjes së ekipit të tij ndaj Valencias në stadiumin Mestalla në La Liga të Spanjës.

E gjitha ndodhi gjatë pjesës së dytë të ndeshjes, ku tifozët ju drejtuan atij me fjalën “majmun”, të përsëritur disa herë.

Gjatë transmetimit në “La Liga TV”, komentatorët thanë se kishte një njoftim në stadium ku i bëhej thirrje tifozëve që të mos fyejnë lojtarët apo të hedhin objekte në fushë.

“Nuk dua të flas për futbollin sot … kur një stadium i tërë po i thërriste ‘majmun’ një lojtari. Diçka e keqe po ndodh në këtë ligë”, tha Ancelotti.

Në një intervistë me gazetarët, Ancelotti tha se gjyqtarët duhet të anulojnë ndeshjet në raste të tjera të racizmit në Ligë.

“Jam shumë i trishtuar sepse La Liga është një ligë me ekipe të mëdha me një atmosferë të mirë. Jemi në vitin 2023, racizmi nuk duhet të ekzistojë… e vetmja mënyrë për mua është të ndalohet loja.”

Në llogarinë e tij personale në Instagram, Vinícius Jr. postoi një status, ku shkruhej: Çmimi që fituan racistët ishte dëbimi im! Ky nuk është futboll, ky është La Liga.

Më pas, lojtari i Real Madrid postoi një shkrim më të gjatë në Twitter, ku shkruhej:

“Nuk ishte hera e parë, as e dyta, as e treta. Racizmi është normal në La Liga. Konkurrenca e konsideron normale, e bën edhe Federata dhe kundërshtarët e inkurajojnë. Me vjen shume keq. Kampionati që dikur i përkiste Ronaldinhos, Ronaldos, Cristiano-s dhe Messit, sot i përket racistëve.”

Vinícius Jr. u përjashtua me karton të kuq në minutat e fundit të lojës për përfshirjen e tij në një sherr me lojtarin e Valencias, Hugo Duro.