Policia e Fierit reagoi pas një lajmi të publikuar në media se një makinë “Mercedes” po transportonte kanabis në autostradën Fier – Lushnje. “Lapsi.al” shkruan se policia sqaron se bëhet fjalë për një makinë të saj që kishte transportuar disa rrënjë kanabis të sekuestruar në fshatin Bishtqethem.
Reagimi i policisë:
“Në datën 1 shtator 2016, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë verifikuan një informacion të marrë në rrugë operative se në fshatin Bishtqethem, Kolonjë, pikërisht në banesën e shtetasit Dhimitër Veliu, mund të kishte të kultivuara bimë narkotike. Nga kontrolli i kryer në banesën e shtetasit Veliu si dhe në tokën e tij pranë banesës u gjetën të kultivuara 59 bimë narkotike si dhe degë bimë narkotike e tharë ku nga peshimi rezultoi 4.3 kg. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes asgjësoi me anë të djegies bimët narkotike si dhe u morën në cilësinë e provës materiale 6 bimë narkotike, për t’u dërguar për ekzaminime të mëtejshme laboratorike. Kjo provë materiale e sekuestruar është transportuar nga ana e grupit hetimor me automjetin tip Mercedes-Benz, me ngjyrë të zezë me targa LU 0276 C në përdorim nga shërbimet e Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Lushnjë”.
Por ky njoftim i policisë nxjerr në pah së paku dy probleme. “Lapsi.al” shkruan se ka verifikuar në sistem targën e mjetit dhe rezulton se i përket një “Audi” të kuq dhe jo “Mercedesit” të policisë. Për pasojë ky mjet i Policisë së Shtetit lëviz me targa false.
Së dyti, transportimi i lëndëve narkotike kaq hapur me “mjete rrethanore”, në rastin më të mirë është mungesë serioziteti dhe profesionalizmi dhe në më të keqin është dëshmi se kanabisi nuk u bën më përshtypje as forcave të policisë, pasi ai ka pushtuar fusha, male e tashmë edhe rrugët e vendit, derisa ka arritur edhe nëpër studio televizive.
Policia ka mjete të posaçme për të transportuar prova materiale për raste hetimesh për vepra penale, qoftë kjo lëndë narkotike, armë etj. Me këtë mënyrë transporti ajo shkakton efekte negative tek qytetarët, që shohin makina pa shenja dalluese të policisë, të mbushura me drogë, që lëvizin lirshëm pa u bezdisur nga askush.





