Sot, 30 për qind e makinave që qarkullojnë në Shqipëri janë të pasiguruara. Por, shifra alarmante nuk është problemi i vetëm.

Në fakt, këto makina janë më problematiket në aksidentet që shkaktojnë dhe për të cilat jo në pak raste është ngritur çështja e gjetjes së mekanizmave për futjen e tyre në sistem. Kompanitë e sigurimit pretendojnë se ligji e përcakton qartë që mënyra e vetme për të futur në skemë “të pabindurit” është bërja e detyrueshme e paraqitjes së dokumentit të pagesës së siguracionit te certifikimet apo kontrollet që kryejnë institucionet shtetërore, ose te shërbimet e dhëna me koncesion.

LIGJI

Ligji “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, neni 4, pika 2, sanksionon se “kur mjeti i transportit është subjekt i detyrimit për t’u regjistruar apo licencuar dhe, sipas ligjit, duhet të ketë një certifikatë regjistrimi apo licencimi, autoritetet përgjegjëse mund ta lëshojnë certifikatën e regjistrimit ose ndonjë dokument tjetër, të barasvlershëm me të, vetëm pasi pronari i mjetit të transportit provon me dokumente se e ka lidhur kontratën e sigurimit, sipas këtij ligji”. Në këto kushte, një individ me një makinë të pasiguruar nuk do të mund të kryente dot as kontrollin fizik, që ndodh sa herë regjistrohet një makinë me pronar të ri dhe as kontrollin teknik, që kryhet një herë në vit. Madje, një mjet i pasiguruar nuk do tëmund të merrte asnjë dokument nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, në një rast të tillë. Por, jo gjithmonë ndodh kështu.

ÇFARË NDODH

Ajo që ndodh realisht sot në treg është fakti që kemi 30 për qind të mjeteve të pasiguruara dhe që i kanë shpëtuar si “sitës” së Drejtorisë së Policisë Rrugore, edhe asaj të Shërbimit të Transportit Rrugor. Ka mjete që nuk kanë asnjë dokument dhe as siguracion dhe qarkullojnë lirshëm; ka edhe nga ato që kryejnë gjithë procedurat te Drejtoria e Shërbimit Rrugor, por nuk kanë sigurimin motorik e sërish qarkullojnë lirshëm. Drejtoria e Shërbimit të Transporti Rrugor konfirmon se me detyrim ligjor sigurimi kërkohet gjatë kontrollit fizik, por në fakt, në shumë raste rezulton që sigurimi i makinës nuk kërkohet as në kontroll fizik dhe as gjatë kryerjes së pagesës së taksave të regjistrimit dhe qarkullimit. Nëse i referohemi ligjit, do të duhej që para se Drejtoria të lëshonte vërtetimin për regjistrimin apo pagesën e taksave vjetore të mjetit, të verifikonte pagesën e sigurimit motorik të mjetit. Pa këtë dokument, një drejtues mjeti nuk mund të kryejë kolaudimin (shërbim ky i dhënë me koncesion). Pra, kompanitë e sigurimit sugjerojnë se kjo është praktika e duhur për të futur në skemë të pasiguruarit, që ka të bëjë me paraqitjen si kusht të dokumentit të sigurimit pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor gjatë procedurave, ose paraqitjes së saj te koncesionari.

Nga: NERTILA MAHO