Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta akuzohet si pjesë e hetimit për ryshfet të paguar në drejtim të arbitrave, njoftoi sot gjykata spanjolle.

Vetë klubi dhe dy ish-presidentët e tij, Josep Maria Bartomeu dhe Sandro Rosell, si dhe ish-kreu i gjyqtarëve të Spanjës, Jose Maria Enriquez Negreira, si dhe djali i tij, tashmë janë akuzuar për këtë çështje.

Laporta lidhet me një akuzë të periudhës së tij të parë si president i Barcelonës nga viti 2003 deri më 2010.

Në raportin e publikuar sot, gjyqtari që i drejton hetimet, në opinionin e tij, tha se ka shumë tregues që Laporta kreu veprime të njëjta si presidentët e tjerë në klub duke paguar shuma të mëdha parash për Negreiran.

Thuhet se pagesat janë rritur 10 fish, nga 70 mijë në 700 mijë euro në vit, ndërsa në total Negreira thuhet se ka marrë 7 milionë euro nga Barcelona në periudhën 2001-2018 përmes kompanive të tij.

Nga ana tjetër Barcelona, është duke luftuar kundër akuzave dhe klubi pretendon se nuk ka bërë asnjë shkelje.