1 dhjetor 2013- Gjuha e huaj e parë që çdo maturant ka mësuar gjatë viteve të gjimnazit do të jetë provim me detyrim në Maturën 2014. Drejtues të Ministrisë së Arsimit bëjnë të ditur se në provimet e Maturës do të bëhen disa ndryshime bazuar në ligjin e arsimit parauniversitar. Zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, shpjegon në një prononcim për gazetën se ku konsistojnë ndryshimet për Maturën 2014.
“Ndryshimet që propozohen janë të bazuara në ligjin e ri të arsimit parauniversitar. Këto ndryshime do të miratohen të martën edhe nga Komiteti i Maturës Shtetërore dhe më pas do të publikohet edhe udhëzimi për zhvillimin e provimeve të Maturës. Në bazë të ndryshimeve, gjuha e huaj e parë që maturanti ka zhvilluar në shkollë do të jetë provim me detyrim. Pra, do të jenë tri provime me detyrim: Gjuhë-Letërsi, Matematikë dhe gjuha e huaj e parë. Risi është fakti që gjuha e huaj nuk do të jetë vetëm provim me detyrim, por ajo mund të jepet nga maturantët edhe si provim me zgjedhje”, sqaron Malaj. Neni 51 i ligjit për arsimin parauniversitar për Maturën Shtetërore përcakton: “Arsimi i mesëm i lartë përfundon me provimet e Maturës Shtetërore. Në provimet e Maturës Shtetërore nxënësit japin një numër lëndësh të përbashkëta dhe një numër lëndësh me zgjedhje. Të gjithë nxënësit kanë këto tri lëndë të përbashkëta: Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe një gjuhë e huaj. Lëndët me zgjedhje përcaktohen me udhëzim të ministrit”. Ky është viti i parë që ligji do të zbatohet edhe për provimet e Maturës, duke e futur gjuhën e huaj të parë, që nuk është për të gjitha shkollat, ajo angleze, si provim me detyrim. Në çdo maturë, Anglishtja ka qenë një ndër lëndët më të preferuara nga maturantët për t’u dhënë si provim me zgjedhje për shkak të koeficientit të lartë me të cilin ajo është vlerësuar nga universitetet. Zv.ministrja e Arsimit bën të ditur se një ndryshim tjetër në Maturë do të bëhet edhe për notën mesatare. “Me ndryshimet e reja do t’i jepet më shumë peshë vlerësimit të notës mesatare për nxënësit”, sqaron Malaj. Në përllogaritjen e pikëve për t’u shpallur fitues në universitet, mesatarja e shkollës së mesme ka përbërë 20 për qind të totalit të tyre.





