Ministri i Financave, Petrit Malaj në fjalën e tij në Kuvend ditën e sotme, 14 maj, e enjte u shpreh se Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive nga raportet ndërkombëtare.
“Për të risjellë në vëmendjen tuaj vlerësimet që Shqipëria ka marrë nga organizmat ndërkombëtarë. Vetë FATF në raportin e saj, do të shprehej se Shqipëria ka adresuar me sukses të gjitha pengesat strategjike të identifikuara. Një punë e konsiderueshme është bërë në parandalimin e pastrimit të parave. Shqipëria që prej vitit 2023 nuk është më pjesë e listës gri dhe ndërkohë vende që janë pjesë e BE, siç është Kroacia ka dalë nga kjo listë vetëm në vitin 2025. Ndërkohë që janë pjesë e kësaj liste vende si Bullgaria, Monaco, etj. Moneyval i cili është një organizëm monitorues i përhershëm i Këshillit të Europës shprehet se Shqipëria ka rritur ndjeshëm përpuethshmërinë me standaret ndërkombëtare, veçanërisht për transparencën e pronësisë përfituese dhe mbikëqyrjes së profesioneve financiare. Si rezultat i këtij vlerësimi ata shprehen se vendi ka arritur të sigurojë mbi 95% përpuethshmëri çka tregon një forcim të kuadrit ligjor dhe institucional. Nga ana tjetër vetë Komisioni Europian në raportin e tij të vitit 2025 do të shprehet për progresin që ka bërë Shqipëria në këto fusha“, tha Malaj.
Ministri gjithashtu theksoi se Shqipëria është në procesin e vlerësimit të nivelit të 6-të nga Moneyval.
“Aktualisht Shqipëria është në procesin e vlerësimit të nivelit të 6-të nga Moneyval. Ky është një proces që është shumë i rëndësishëm për vendin tonë i cili synon të vlerësojë në mënyrë konkrete efektivitetin e zbatimit të standarateve ndërkombëtare në fushën kundër pastrimit të parave. Ky raport besojmë se do të jetë pozitiv. Edhe Komisioni Europian ka vlerësuar progresin e Shqipërisë sa i përket luftës kundër pastrimit të parave“, theksoi Malaj.





