Autoritetet e Malajzisë kanë urdhëruar platformën sociale TikTok të marrë masa të menjëhershme kundër përmbajtjeve që konsiderohen fyese dhe shpifëse ndaj monarkisë së vendit.

Komisioni Malajzian i Komunikimeve dhe Multimedias (MCMC) deklaroi se ka kërkuar nga platforma të forcojë politikat e moderimit dhe të japë shpjegime zyrtare për mosbllokimin e videove dhe imazheve të manipuluara, që lidhen me Mbretin Sultan Ibrahim.

https://c737f7cf565c897e5e3cd66138485a91.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-45/html/container.html

Sipas autoriteteve, në TikTok janë shpërndarë materiale të rreme, përfshirë video të krijuara me inteligjencë artificiale dhe fotografi të manipuluara, të cilat konsiderohen ofenduese dhe kërcënuese për familjen mbretërore. MCMC theksoi se platforma nuk kishte reaguar në mënyrë “profesionale” ndaj paralajmërimeve të mëparshme, duke detyruar ndërhyrjen zyrtare të shtetit.

Në deklaratën e saj, agjencia tha se do të vazhdojë të ndërmarrë masa të forta ndaj platformave digjitale që lejojnë përhapjen e informacionit të rremë ose përmbajtjeve që mund të dëmtojnë rendin publik, sidomos kur ato kanë lidhje me monarkinë.

Malajzia, si monarki kushtetuese, ka ligje të ashpra kundër deklaratave që nxisin urrejtje apo përbuzje ndaj familjes mbretërore. Ligji i sedicionit, i miratuar që në vitin 1948, parashikon ndëshkime për çdo përmbajtje që konsiderohet sulm ndaj mbretërisë.

Ky veprim ndaj TikTok është pjesë e përpjekjeve më të gjera të qeverisë malajziane për të kontrolluar rrjetet sociale dhe për të rritur sigurinë në internet. Më herët gjatë këtij viti, autoritetet kishin kufizuar përkohësisht edhe përdorimin e chatbot-it Grok, për shkak të shqetësimeve mbi krijimin e imazheve të papërshtatshme me inteligjencë artificiale.

Ndërkohë, qeveria po përgatitet të zbatojë ligje të reja që ndalojnë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, duke ndjekur shembullin e vendeve si Australia, Indonezia dhe Franca.