Pas 34 vitesh pushtet thuajse të pandërprerë të Milo Gjukanoviç, Republika e Malit të zi mund të ketë një president të ri më 2 prill, kur do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Sfiduesi Jakov Milatoviç mund të dalë fitues, sipas sondazheve dhe gamës së partive politike që e mbështesin atë.

“Isha 3 vjeç kur zoti Gjukanoviç hyri në politikën malazeze. Mjaft është mjaft. Mendoj se ka ardhur koha t’i japim fund politikës së tij, e cila nuk ka qenë pozitive dhe në vitet e fundit na ka përçarë, na ka varfëruar dhe ka detyruar banorët të braktisin vendin. Mbi 100 mijë persona lanë Malin e Zi gjatë qeverisjes së Gjukanoviç”, tha Milatoviç.

Milatoviç ishte ministër i Zhvillimit Ekonomik në qeverinë e ish-kryeministrit Zdravko Krivokapiç, që u formua pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 2020-s. Edhe pse politikat e tij janë vlerësuar nga qytetarët, ekonomistët besojnë se reformat e Milatoviç do ta çojnë Malin e Zi drejt një skenari grek.

“Fitorja jonë do të vuloset më 2 prill dhe do të jetë fitorja e Malit të Zi të lirë. Fitorja e një Mali të Zi më të bukur, më të pasur dhe më të drejtë. Një fitore për të gjithë ne”, deklaroi Milatoviç

Pas zgjedhjeve presidenciale, ato parlamentare presin shtetin e vogël ballkanas më 11 qershor. Rezultati i tyre do të varet gjerësisht nga ai i presidencialeve dhe banorët e Malit të Zi shpresojnë se vendi do të dalë nga kriza institucionale që e ka përfshirë prej dy vjetësh, për shkak të destabilitetit qeveritar.